Last Updated on 07/09/2026 by Anisa
Autoritetet spanjolle kanë nisur një hetim penal pas plagosjes me armë zjarri të Toñit, orkës më të vjetër në ujërat iberike, e cila u zbulua me disa vrima plumbash në pendën e saj dorsale.
Plagët e 60-vjeçares u vunë re muajin e kaluar nga ambientalistët, të cilët raportuan incidentin tek autoritetet. Më 2 shtator, Ministria e Mjedisit e Spanjës ia referoi çështjen prokurorëve, ndërsa personat përgjegjës mund të përballen me gjoba deri në 2 milionë euro.
Njësia Qendrore e Operacioneve Mjedisore e Guardia Civil po heton një anije me flamur spanjoll, e cila dyshohet se është parë duke qëlluar me armë në ujërat portugeze. Hetuesit po përpiqen të përcaktojnë nëse anëtarët e ekuipazhit kanë qëlluar orkën dhe motivin e mundshëm pas këtij veprimi.

Sipas Janek Andre, themeluesit të WeWhale dhe bashkëthemeluesit të Iberian Orca Guardians, një nga mundësitë është që një marinar ta ketë qëlluar kafshën për hakmarrje ose për ta larguar pasi ajo ka pasur kontakt fizik me një varkë. Një tjetër pistë është që peshkatarët mund ta kenë qëlluar për të penguar kapjen e peshkut, ndërsa nuk përjashtohet as mundësia që veprimi të jetë kryer thjesht nga inati.
Toñi është parë ditët e fundit në brigjet e Galicisë, duke lëvizur dhe u ushqyer së bashku me grupin e saj. Sipas ambientalistëve, plagët po shërohen mirë, por copëzat e plumbave kanë mbetur të bllokuara në pendët e saj, duke rritur rrezikun e infeksionit të gjakut dhe sepsës.

Mbijetesa e Toñit konsiderohet veçanërisht e rëndësishme për popullatën e orkave në ujërat iberike, e cila ka pësuar një rënie të ndjeshme ndër vite. Nga rreth 60-70 kafshë në vitet 1990, popullata sot është reduktuar në vetëm 27.

Si një nga matriarket më të vjetra të gjalla, Toñi luan një rol të rëndësishëm në grupin e saj, duke udhëhequr lëvizjet dhe duke kontribuar në transmetimin e sjelljeve dhe kulturës te orkët e tjera.
Incidenti ka rikthyer gjithashtu vëmendjen te marrëdhënia e tensionuar mes orkave dhe anijeve në ujërat iberike. Që nga viti 2020, orkët janë përfshirë në një sërë ndërveprimesh me varkat, duke dëmtuar timonët e tyre dhe në disa raste duke shkaktuar fundosjen e tyre.
Megjithatë, sipas Andre, këto ndërveprime nuk duhet të konsiderohen si sulme. Ai i përshkruan ato si sjellje sociale dhe kurioze, duke theksuar se njerëzit ndodhen në habitatin natyror të orkave.
Ekspertët këshillojnë marinarët të qëndrojnë në ujëra të cekëta për të shmangur takimet me orkët, pasi këto kafshë preferojnë zakonisht thellësi nga 50 deri në 70 metra. Lëvizja pranë vijës bregdetare, në ujëra më pak se 20 metra të thella, mund të ulë ndjeshëm rrezikun e ndërveprimeve.
“Ata kanë nevojë për mbrojtje, jo për hakmarrje”, është mesazhi i ambientalistëve, ndërsa hetimi për të zbuluar autorët e plagosjes së Toñit vijon./ad
