Me një mbrëmje gala dhe ndarjen e çmimeve është mbyllur edicioni i 13-të i Festivalit Mbarëkombëtar të Komedisë “KoKo Fest”, në Korçë. Për disa ditë, skena e teatrit korçar ka pritur trupat teatrore nga qytete të ndryshme të Shqipërisë, ndërsa në konkurrim janë prezantuar 8 vepra, të cilat janë vlerësuar nga juria për interpretimin, regjinë, muzikën, skenografinë dhe kostumografinë.
Çmimi i shfaqjes më të mirë shkoi për “Babai”, produksion i Teatrit Kombëtar Eksperimental, ndërsa çmimi për regjinë më të mirë iu dha Gent Bejkos për “Gomerët e Trojeve”. Kjo shfaqje e Teatrit “Migjeni” të Shkodrës u vlerësua edhe me çmime të tjera, duke spikatur në edicionin e këtij viti. Në kategorinë e aktorëve protagonistë, çmimi për aktoren më të mirë iu dha Luiza Xhuvanit për shfaqjen “Si ne të dy”, ndërsa aktori më i mirë protagonist u shpall Viktor Zhusti.

Për aktorët joprotagonistë u vlerësuan Pjerin Vlashi për “Babai”, si dhe Ina Morinaj për “Gomerët e Trojeve” dhe Blerta Belliu për “Demos”. Në kategorinë e të rinjve, çmimi për aktorin më të mirë iu dha Antonio Toles dhe Silvio Goskovës, aktorë të Teatrit të Korçës, ndërsa çmimi për të rinjtë shkoi për shfaqjen “24 orë nga jeta e një votuesi”. Artistja e re më e mirë u shpall Altea Lazaj për “Gomerët e Trojeve”.
Muzika më e mirë u vlerësua ajo e Trimor Dhonit në shfaqjen “Demos”, ndërsa çmimi për kostumografinë dhe skenografinë më të mirë shkoi për Ilirjana Bashën, po për “Demos”. Çmimi i karrierës iu akordua aktorit të njohur Ndriçim Xhepa.
Për drejtuesin e Teatrit Kombëtar Eksperimental, çmimi për “Babai” është vlerësim për një produksion të ndërtuar mbi punën e të gjithë trupës artistike. Gjergj Prevazi e cilëson çmimin një kurorëzim të punës së bërë nga e gjithë trupa e shfaqjes. Ai vlerëson veçanërisht interpretimin e Viktor Zhustit, ndërsa thekson se suksesi i një produksioni teatror është rezultat i punës në ekip.
“Është një kënaqësi e veçantë që shfaqja ‘Babai’, një tekst bashkëkohor i Florian Zeller, një nga tekstet më të vëna në teatrot më të rëndësishme evropiane, u bë pjesë e repertorit të teatrit tonë, Teatrit Kombëtar Eksperimental, dhe kurorëzohet sonte me një çmim në prezantimin e saj të 29-të. Jam shumë i lumtur, jam shumë i kënaqur që më në fund ky teatër, Teatri Eksperimental, vlerësohet, gjen përkrahjen e publikut, por dhe të profesionistëve. Ka qenë një punë në fakt e bërë me shumë dashuri nga e gjithë trupa, veçanërisht nga regjisori Ervin Çuli dhe nga i mirënjohuri Viktor Zhusti, i cili ka realizuar një rol për të cilin të gjithë jo thjesht dhe vetëm që jemi mirënjohës, por është një person dhe një aktor i jashtëzakonshëm në një moshë që të gjithë do ta kishin zili për kthjellësinë e tij, për energjinë që ai përcjell, për pozitivitetin dhe profesionalizmin njëkohësisht. Por njëkohësisht do doja të falenderoja të gjithë aktorët, të gjithë realizuesit e kësaj vepre: Egla Ceno, gjithashtu Helidon Fino i cili gjithashtu u vlerësua me çmimin ‘Aktori më i mirë jo-protagonist’, Lulzim Zeqiri, të cilët kanë dhënë një kontribut të shquar në shfaqje. Kompozitori Endri Sina, që e keni edhe nga Korça, është një kompozitor i cili sot është kompozitori më i mirë i cili shkruan muzikën e teatrit dhe është një njohës i mirë i gjuhës muzikore në teatër. Bekim Korça gjithashtu, autori i skenografisë. Pra, të gjithë komponentët besoj se kanë çuar në këtë rezultat. Teatri nuk është një lojë që realizohet vetëm, është një lojë që realizohet në ekip, është një punë shumë e madhe pas skene, para skene, punë paraprake, punë pastaj me menaxhimin e veprës, me turnetë që ne kemi realizuar në Kosovë dhe në Shqipëri. Pra është një punë, do të thosha, do doja ta kurorëzoja me fjalën magjike: një punë të cilën të gjithë e kanë dashur, të gjithë e kanë vlerësuar”, u shpreh Prevazi.
Edicioni i 13-të i KoKo Fest ka sjellë në skenën korçare jo vetëm konkurrencën mes trupave teatrore, por edhe një bashkim të artistëve të skenës shqiptare. Për organizatoren e festivalit, aktoren Zamira Kita, mbyllja e këtij edicioni vjen me emocione të forta, por edhe me kënaqësinë e një publiku që ka mbushur sallat./k.m

