Asnjë nga kritikët e kryeministrit nuk përballet me dilemat e vështira strategjike që burojnë nga varësia e rrezikshme e Britanisë ndaj fuqisë amerikane.
nga Rafael Behr
Nuk është e lehtë të jesh mik i Donald Trump-it, por është shumë më pak e rrezikshme sesa të jesh armiku i tij. Nuk ka shumë mundësi zgjedhjeje në mes. Lufta në Lindjen e Mesme po nxjerr në pah sa të kufizuara janë alternativat për një kryeministër britanik.
Presidenti amerikan nuk i sheh aleancat si marrëdhënie afatgjata të bazuara në përfitim të ndërsjellë, por si transaksione të vazhdueshme sipas modelit mafioz. “Shefi” ofron mbrojtje në këmbim të tributisë dhe besnikërisë.
Ky është problem për të gjitha demokracitë evropiane. Për dekada me radhë, siguria e tyre është mbështetur në një koncept solidariteti perëndimor – institucione, vlera dhe ligje – që Trump-i i përçmon. Për Britaninë, e vetëpërjashtuar nga Bashkimi Europian dhe e mësuar me “marrëdhënien speciale” me Uashingtonin, kjo përbën një krizë orientimi gjeopolitik.
Qëndrimi i luhatshëm i Keir Starmer-it ndaj veprimeve ushtarake amerikane në Iran e përmbledh këtë problem. Fillimisht, ai refuzoi lejen për përdorimin e bazave ushtarake britanike, me arsyetimin se nuk kishte bazë ligjore për luftë.
Regjimi i Teheranit është padyshim vrasës. Shumica e viktimave të tij janë vetë iranianët. Republika Islamike është gjithashtu e përkushtuar për të dëmtuar SHBA-në dhe për të shkatërruar Izraelin, por nuk ka prova për ndonjë veprim të afërt që do të justifikonte sulme parandaluese. Motivi më urgjent duket se është kërkimi i emocioneve në arenën ndërkombëtare nga ana e Trump-it, ndërsa revolucioni i tij politik i brendshëm po humbet vrullin.
Brenda pak ditësh, Starmer ndryshoi pozicion. Kundërpërgjigjet “tokë e djegur” të Teheranit – lëshimi i raketave drejt vendeve të lidhura me SHBA-në në rajon – vunë në rrezik asetet dhe civilët britanikë. Për të shmangur këtë rrezik, bazat e RAF-it do të përfshiheshin, por vetëm në kuadër të “vetëmbrojtjes kolektive”. Forcat britanike nuk do të merrnin pjesë në “veprime sulmuese”. Mësimet e luftës në Irak, tha kryeministri, nuk do të harroheshin.
Nuancat diplomatike dhe ligjore të qëndrimit të Starmer-it kanë kuptim si përpjekje për të balancuar presione të kundërta të brendshme dhe ndërkombëtare. Por askush nuk është i kënaqur. Qëndrimi i tij ndaj luftës është hezitues, por jo kundërshtues. Ai detyrohet të respektojë germën e aleancës transatlantike, por jo me frymën luftarake që kërkon Trump-i dhe mbështetësit e tij në të djathtën britanike.
Nigel Farage dhe Kemi Badenoch i mbështetën sulmet ndaj Iranit pa hezitim. Udhëheqësja konservatore e akuzon Starmer-in se përdor të drejtën ndërkombëtare si pretekst për mosveprim. Sipas saj, shqetësimi i tij i vërtetë është të qetësojë “grupe, besnikëritë politike të të cilave, kur bëhet fjalë për konfliktet në Lindjen e Mesme, nuk përputhen me interesat britanike”. Nënkuptimi është se deputetët laburistë me komunitete të mëdha myslimane në zonat e tyre elektorale nuk duan që qeveria të luftojë në të njëjtën anë me Izraelin.
Kjo mund të jetë faktor në disa zona, por në zellin e saj kulturor, Badenoch humbet një pikë më të gjerë. Aventurat ushtarake të konceptuara keq, pa afat dhe me justifikime të dyshimta, të ndërmarra me nxitjen e një presidenti amerikan aventurier, janë të papëlqyera për një segment të gjerë të elektoratit britanik.
Shprehja e kësaj kujdesie është një fitore e lehtë politike për Zack Polanski dhe Ed Davey. Të Gjelbrit dhe Liberal Demokratët me të drejtë theksojnë rrezikun e përshkallëzimit rajonal, precedentët historikë ogurzinj dhe pamundësinë për të nxjerrë një Iran më pak tiranik nga një krater bombash që ende nxjerr tym.
Paralajmërimet janë të vlefshme dhe kritikat të qëlluara, por propozimet politike janë të cekëta. Davey dëshiron që Starmer “të marrë në telefon” Trump-in dhe ta detyrojë të planifikojë një tranzicion drejt demokracisë iraniane. Polanski i kërkon kryeministrit të dënojë veprimet amerikane.
Dhe pastaj çfarë? Qëndrimi standard kundër luftës është të pohosh epërsinë e marrëveshjeve të negociuara ndaj pushtimit ushtarak. Edhe Starmer këtë preferonte. Por SHBA-ja tashmë ka braktisur negociatat dhe ka vrarë udhëheqësin suprem të Iranit. Bota ku Trump-i rregullohet nga telefonatat e një kryeministri britanik dhe turpërohet nga deklaratat e tij ekziston vetëm në fantazinë opozitare.
Në realitet, Starmer duhet të përdorë me kujdes ndikimin që ka ndaj Shtëpisë së Bardhë. Ai duhet të marrë parasysh edhe objektiva të tjerë strategjikë – për shembull, nevojën për ta mbajtur Trump-in në krah në çështjen e Ukrainës. Duhet gjithashtu të ketë parasysh se kapacitetet ushtarake dhe të inteligjencës britanike janë të ndërthurura ngushtë me sistemet e Pentagonit. Kjo është ajo që ai nënkupton kur flet për natyrën “të pazëvendësueshme” të partneritetit të mbrojtjes. Në biseda private, ministrat janë më të drejtpërdrejtë: Britania do të ishte “jashtëzakonisht e ekspozuar” nëse një administratë amerikane kapriçoze do të vendoste se nuk e dëshironte më miqësinë tonë.
Rreziqet e të qenit në anën e gabuar të Trump-it nuk artikulohen shpesh, sepse askush nuk ka interes të pranojë një cenueshmëri kaq kolosale. Për entuziastët e Brexit-it në të djathtë, është ideologjikisht e paimagjinueshme që një vend në tryezën e lartë të një blloku evropian do ta kishte fuqizuar Britaninë. Aq më pak e pranueshme është ideja e marrëdhënies me BE-në si një mburojë kundër varësisë së tepruar nga Uashingtoni.
Në të majtën liberale ka zhgënjim ndaj varësisë nga një superfuqi e papërgjegjshme dhe padurim për riorientim drejt Europës. Por ka edhe hezitim për atë që kjo do të thotë në terma të mbrojtjes dhe sigurisë. Autonomia në politikën e jashtme në një botë të rrezikshme dhe të paqëndrueshme kërkon kapacitete të forta ushtarake që Europa nuk i zhvilloi gjatë dekadave kur Uashingtoni e mbulonte me ombrellën e tij.
Polanski kërkon që Britania të shkëputet nga varësia ndaj SHBA-së dhe ka spekuluar për daljen nga NATO në favor të një aleance më eurocentrike. Por ai nuk bën thirrje për rritje të buxheteve të mbrojtjes për të zëvendësuar kapacitetet që do të humbisnin në një ndarje me Uashingtonin – kapacitete që do të nevojiteshin për të frenuar agresionin rus në krahun lindor të kontinentit.
Autonomia strategjike nga një SHBA e “trumpizuar” nuk është një ambicie e çmendur për Britaninë, por është një projekt i kushtueshëm. Ai kërkon vendime të vështira që liderët e opozitës – sidomos ata me pak gjasa për t’u bërë kryeministër – mund t’i anashkalojnë lehtësisht.
Starmer nuk e ka këtë luks. Ai mund të mos po e gjen ekuilibrin e duhur mes Europës dhe SHBA-së – mes afirmimit të një politike të jashtme të pavarur dhe ruajtjes së kapitalit të çmuar diplomatik në Uashington – por, ndryshe nga kritikët e tij, ai përballet me realitetin torturues të këtyre dilemave çdo orë të çdo dite. Është natyra e politikës që ai do të paguajë për zgjedhje të këqija, por historia mund të reflektojë se nuk kishte zgjedhje të mira në dispozicion.
Rafael Behr është kolumnist i Guardian-it/ Përgatiti për botim: L.Veizi
