Qeveria ka rishikuar ligjin për Avokaturën e Shtetit, duke zgjeruar kompetencat e institucionit, ristrukturuar praninë e tij pranë ministrive dhe duke krijuar një kategori të re punonjësish juridikë.
Projektligji i nxjerrë për konsultim parashikon që Avokatura e Shtetit të marrë një rol më të drejtpërdrejtë në përfaqësimin e pushtetit vendor. Në draft thuhet se institucioni “përfaqëson dhe mbron interesat pasurorë të organeve të vetëqeverisjes vendore përpara gjykatave të të gjitha niveleve, pa autorizim të posaçëm të të përfaqësuarit”.
Sipas tekstit, Avokati i Përgjithshëm i Shtetit mund “t’ia delegojë të drejtën e përfaqësimit dhe të mbrojtjes organit të interesuar të vetëqeverisjes vendore”, sipas kritereve që do të përcaktohen nga Këshilli i Ministrave.
Projektligji heq gjithashtu referencat për “zyrat e Avokaturës së Shtetit” pranë ministrive. Titulli i nenit 12 ndryshohet në “Avokatët e Shtetit pranë ministrive”, ndërsa togfjalëshi “krijohen zyra me” zëvendësohet me “veprojnë”. Një nga shtesat kryesore është krijimi i figurës së “ndihmësit ligjor të avokatëve të shtetit”. Drafti parashikon që këta funksionarë të emërohen nga Avokati i Përgjithshëm i Shtetit “në nivel qendror dhe vendor”.
Projektligji përcakton kriteret për këtë funksion, përfshirë përfundimin e studimeve juridike “në tre vitet e fundit, me mesatare të ponderuar 9.00 – 10.00”, si dhe “jo më pak se 1 vit përvojë pune në fushën juridike”.
Sipas draftit, ndihmësi ligjor “analizon praktikën gjyqësore përkatëse”, “përgatit mbrojtje të thjeshta standarde” dhe kryen “detyra të tjera për hetimin administrativ dhe përpunimin e çështjes”.
Ndryshimet prekin edhe përfaqësimin e Shqipërisë pranë Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Projektligji përcakton se “Avokati i Përgjithshëm i Shtetit, cakton një ose disa avokatë shteti, si përfaqësues të përhershëm” pranë kësaj gjykate.
Drafti zgjeron gjithashtu rrugët për emërimin si avokat shteti. Përveç diplomimit në Shkollën e Magjistraturës, projektligji parashikon se kandidatët mund të emërohen nëse “zotërojnë përvojë pune mbi 7 vjet si ndihmës ligjor i avokatit të shtetit” ose “mbi 10 vjet si avokat, profesor, lektor i së drejtës”.
Projektligji vendos një kufi për këto emërime, duke përcaktuar se ato “nuk mund të jenë më shumë se 50 përqind e vendeve vakante të përvitshme”.
Në pjesën financiare, drafti shton se “paga e ndihmësit ligjor të avokatit të shtetit është sa 0,45 e pagës së Avokatit të Përgjithshëm të Shtetit”./A.D
