Last Updated on 24/02/2026 by Anisa
Kush do t’i paguajë faturat e qirasë për partitë politike parlamentare që nuk kanë në dispozicion një godinë shtetërore?
Kjo pyetje ka vënë në lëvizje dy institucione kyçe: Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) dhe Ministrinë e Financave, të cilat gjatë muajit shkurt të këtij viti kanë shkëmbyer një korrespondencë zyrtare.
Në qendër të këtij komunikimi është kërkesa e KQZ-së për të siguruar mbulimin financiar të selive për ato subjekte politike që kanë përfaqësim në Kuvend, por që nuk janë akomoduar në prona publike. Përmes një shkrese të siguruar nga Report TV, më 12 shkurt 2024, KQZ i është drejtuar zyrtarisht Ministrisë së Financave duke kërkuar fonde për vitet 2025 dhe 2026.
“Sipas përllogaritjeve, për vitin 2025 vlera që duhet të kompensohet për 8 parti parlamentare është 9 600 000 lekë, ndërsa për vitin 2026 vlera për 13 parti parlamentare është 15 600 000 lekë”, thuhet në shkresën e KQZ-së.
Nga ana tjetër, Ministria e Financave ka refuzuar të akordojë fondin shtesë prej 250 mijë eurosh. Më 21 shkurt 2024, ky institucion i është përgjigjur KQZ-së duke theksuar se partitë duhet t’i mbulojnë shpenzimet e qirasë me fondet që përfitojnë nga financimi vjetor i miratuar në buxhetin e shtetit.
“Fondi publik i miratuar në buxhetin e shtetit si ndihmë financiare për partitë politike mund të përdoret edhe për mbulimin e qirasë. Në këto kushte, partitë politike parlamentare duhet të përdorin fondet e miratuara tashmë për të përballuar këto shpenzime”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë.
Ndërkohë, për vitin 2026, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shpërndarë një fond total prej 3.6 milionë eurosh për financimin e partive politike.
