Miss Xhamajka, Gabrielle Henry, po kalon ditë të vështira pas incidentit të rëndë që pësoi gjatë raundit paraprak të Miss Universe, ku ajo u rrëzua nga skena teksa sfilonte me taka të larta.
Gjatë ecjes, Henry humbi ekuilibrin, rrëshqiti dhe përfundoi jashtë skenës, ndërsa stafi ndërhyri menjëherë dhe e transportoi me barelë. Prej tre ditësh, ajo ndodhet e shtruar në spital, dhe gjendja e saj vazhdon të jetë shqetësuese.
Organizatorët e Miss Universe kanë konfirmuar se gjendja shëndetësore e Gabrielle-s nuk është stabilizuar ende, prandaj mjekët kanë urdhëruar që ajo të qëndrojë nën kujdes intensiv për të paktën shtatë ditë të tjera, derisa monitorimi i saj të tregojë përmirësime.
Përfaqësuesit e Miss Universe u kanë bërë thirrje fansave dhe publikut që të tregohen të kujdesshëm dhe të shmangin komentet negative apo spekulimet që mund të rëndojnë situatën për familjen e saj.
“Fokusi ynë kryesor është shërimi i Gabrielle-s dhe mbështetja për familjen e saj në këtë periudhë të vështirë,” thuhet në njoftimin zyrtar. “Ju lutemi, vazhdoni të luteni për të.”
