Nga Leonard Veizi
17 nëntor 1944. “Tirana u çlirua”. Këto kanë qenë fjalët e para që Radiostacioni i vetëm shqiptar transmetoi atë ditë historike. Më pas, valët e tij përcollën Himnin e Flamurit Kombëtar…
…Jo vetëm pikat strategjike si Pallati i Brigadave, Banka e Shqipërisë, kompleksi i Ministrive, Komandatura, centrali elektrik dhe burgjet, por edhe stacioni i vetëm radiofonik i vendit ishte një nga objektivat kryesorë të forcave që do të sulmonin për çlirimin e kryeqytetit nga pushtuesit nazistë. Për këtë arsye, kompanisë së dytë të batalionit të dytë të Brigadës së Parë Sulmuese i ishte ngarkuar detyra që, me çdo kusht, të merrte godinën e Radiostacionit – zëri propagandistik i pushtuesve për pesë vite me radhë.

Gjermanët, të vetëdijshëm për rëndësinë morale dhe ushtarake të radios, e kishin fortifikuar mirë godinën e Radio Tiranës, asokohe e vendosur në Rrugën e Kavajës, pranë rrugës “Kont Urani”. Kjo e bënte edhe më të vështirë marrjen e saj. Batalioni III, i Brigadës së Parë Sulmuese, me komandant Xhelo Idrizin, si edhe Kompania I e Batalionit II, nën drejtimin e Hekuran Pobratit, mbështetën luftimet. Ndërkohë, Kompania II e Batalionit II, e komanduar nga Mane Sevrani, mori pjesë drejtpërdrejt në sulmin mbi godinën. Ndërsa Kompania I e Batalionit I, me komandant Dalan Memushin, mbërriti për përforcim.
Në tërheqje e sipër, komanda gjermane kishte dhënë urdhër për shkatërrimin e Radiostacionit. Mëngjesin e 17 nëntorit, nga aerodromi i Tiranës erdhën katër tanke të shoqëruara nga rreth 150 trupa të Vermahtit, të cilët kishin marrë përpara të paktën 20 qytetarë të pafajshëm. Forcat gjermane tentuan të rimerrnin godinën, vranë robërit duke i shtypur me zinxhirët e tankeve dhe depërtuan deri në katin e parë të saj. Në përleshje mbetën të vrarë një kolonel, një kapiten dhe një toger gjerman, ndërsa nga forcat partizane u plagos vetëm borizani Haki Kapaj.
Nga shpërthimi i planifikuar shpëtoi jo vetëm Radiostacioni, por edhe centrali i qytetit, i cili ishte minuar nga trupat gjermane gjatë tërheqjes.
Në këtë mënyrë, zëri që shpalli çlirimin e Tiranës mbijetoi mes zjarrit të luftës dhe u bë dëshmia e parë e një kryeqyteti të lirë.

Filmi
“Tirana u çlirua”… u dëgjua përmes fonisë së radios, e cila kishte ndërprerë transmetimit prej ditësh. Dhe njerëzit kishin zgjatur veshët për t’u njohur me të rejat pas “blackout”-it total.
Por çfarë kishte ndodhur pak para se të publikohej ky lajm?
Filmi emblemë i Kinostudios “Shqipëria e Re” me regji të Rikard Ljarjes dhe prodhuar në vitin 1979 “Radiostacioni”, u ekranizua mbi romanin e Ismail Kadaresë “Nëntori i një kryeqyteti”. Romani në fjalë u botua në vitin 1974. Ngjarjet e romanit ishin të përqendruara rreth ndërtesës së Radiostacionit të kryeqytetit shqiptar në ditët e luftës për çlirimin e tij, nëntor i vitit 1944.
“Ju flet Tirana. Po japim Lajmet. Armata e lavdishme 21 e Rajhut, pritet nga çasti në çast të arrijë në Tiranën e rrethuar. Rebelët e kuq po i pret në bulevardin Musolini…”.
Këto ishin lajmet e fundit që Radio Tirana transmetonte nën dirigjimin e pushtuesve, derisa mitraljeri i skuadrës Sherifi do të qëllonte me mitraloz e do të këpuste sinjalin transmetues. Pas kësaj Radio Tirana heshti për ditë të tëra.
Por që në ditët e para të çlirimit të kryeqytetit u dha urdhri që Radio Tirana të fliste sërish. Ndaj një skuadër partizane në të cilën ishin anëtarë dhe Sherifi, Teuta e Mete Aliu mori urdhër të ringrinin Radiostacionin e ta bënin të fliste. Partizanët mblodhën punonjësit e mëparshëm të Radio Tiranës të cilët mundësuan nisjen e transmetimit.
Por cila është panorama që na jep filmi?
-Ju flet Tirana. Po japim lajmet.
Miriam Morina, folësja zyrtare e Radio Tiranës, edhe pse kishte dyshuar duke i thënë patrullës partizane që e kishte rekrutuar, se kishte “folur në një regjim tjetër”, sërish u bind të ulej para mikrofonit për të lexuar lajmet e para të Tiranës së sapoçliruar. Por kjo nuk i erdhi hiç për shtat Mete Aliut, – për të cilin thoshin se ishte trim i marrë dhe madje ishte plagosur nga ushtarët e Vermahtit teksa hapte portat prej hekuri të radiostacionit. Ndaj ai iu përvesh Miriamit, – me zërin e butë e pa nerv, – për t’i thënë se lajmet e reja në një rend të ri duheshin dhënë me aq zë të lartë sa ta merrnin vesh të gjithë nga Moska deri në Berlin.
-Nepërkë, borgjeze. Fol fol. Ju flet Tiranaaaaaaaaaaaaaa…
Janaq Kristo, që ishte nëpunësi i diskotekës në Radio, i alarmuar i ra i ra ballit me dorë. Miriami u ngrit e përhumbur nga poltroni dhe u largua nga radiostacioni. Kështu që Teuta, e vetmja femër në skuadër u bë folësja për Radio Tiranën, e cila që prej atij çasti do të udhëhiqej nga komunistët.
-Ju flet Tirana. Radiostacioni i Tiranës së lirë po fillon transmetimet e tij me valë të mesme 275 metra dhe valë të shkurtra 60 metra…
Gjithsesi ky është vetëm një film artistik mbështetur mbi një roman, dhe ana fiksionale nuk mund të mungonte. Ndërsa realiteti fliste dhe për shumë gjëra të tjera.

Lufta për Tiranën
Në realitetin e mbështetur në dokumente dhe dëshmi, lufta për çlirimin e Tiranës ka pasur këto rrethana:
Plani i Komandës së Përgjithshme caktonte si detyrë kryesore çlirimin e Tiranës me çdo kusht, asgjësimin e forcave armike e mënjanimin e grabitjes e të shkatërrimit të qytetit nga gjermanët. Një grup artilerie gjendej në kodrat rreth Pallatit të Brigadave, një tjetër në Tiranën e Re, shumë mortaja të rënda e të lehta, një repart tankesh, ishin vendosur në kryqëzime të rrugëve. Në urdhrin e Komandantit të Përgjithshëm, Enver Hoxha thuhej: “Duhet sulmuar Tirana dhe të merret me çdo kusht”. Mësymja në Tiranë do të bëhej nga dy forca kryesore. Në të parën, do të hynte në mësymje Divizioni I Sulmues, që në përbërje të tij ishin tri Brigada I, IV dhe XXIII, e cila kishte zëvendësuar Brigadën V, që kish shkuar në Kosovë, së bashku me Brigadën e III, për çlirimin e krahinës. Në fazën e dytë do futeshin në luftim dhe Brigadat VIII, X, XXIV.
Komandant i Divizionit ishte Mehmet Shehu, i cili organizoi shtabin operativ dhe drejtoi operacionin për çlirimin e kryeqytetit. Veprimet për çlirimin e Tiranës përbënin një operacion të kombinuar. Në kohën që Divizioni I dhe Brigadat VIII e X do të mësynin brenda në qytet e në periferi të tij, Brigadat II, XX, XV, XVII, XI e XII do t’i jepnin goditje forcave gjermane gjatë rrugëve që nga Qafa e Thanës-Elbasan-Tiranë, Tiranë-Shkodër, Elbasan-Durrës si dhe brenda në qytetet Elbasan, Peqin, Kavajë, Durrës.
Ndërkohë sulmet ajrore britanike mbështeten sulmin tokësore të forcave partizan, duke shkaktuar dëme të mëdha të pozicioneve gjermane në qytet.

Përballja e trupave
Mësymja për çlirimin e Tiranës filloi në orën 18.00 të 29 tetorit 1944. Trupat gjermane, që mbanin kryeqytetin shqiptar, i përkisnin Gruparmatës “E”, në të cilin bënte pjesë edhe Korpusi XXI, me qendër në Tiranë. Garnizoni gjerman i Tiranës, i përbërë prej 3000 vetash, kishte detyrë të mbronte qytetin për të siguruar tërheqjen e trupave naziste që vinin nga Greqia e Maqedonia, duke ndjekur rrugët Strugë-Elbasan-Tiranë dhe Durrës-Shkodër. Në Tiranë kishte mbetur edhe një forcë me rreth 500 xhandarë, ballistë e zogistë. Në mësymje hyri Divizioni i I Sulmues, që në përbërje të tij ishin tri Brigada e I, IV dhe XXIII, e cila kishte zëvendësuar Brigadën e V, që kish shkuar në Kosovë. Në kohën që Divizioni i I dhe Brigadat VIII e X sulmoi brenda në qytet e në periferi të tij, Brigadat II, XX, XV, XVII, XI e XII i dhanë goditje forcave të Vermahtit gjatë rrugëve që nga Qafa e Thanës-Elbasan-Tiranë, Tiranë-Shkodër, Elbasan-Durrës si dhe brenda në qytetet Elbasan, Peqin, Kavajë, Durrës. Deri në 10 nëntor u zhvilluan luftime të ashpra rrugë më rrugë e shtëpi më shtëpi, sulme e kundrasulme të shpeshta nga të dy anët. Trupat e partizanëve jo vetëm që mbajtën pozicionet e zëna, por i përmirësuan ato më tej, duke hyrë në brendësi të qytetit. Në mëngjesin e 11 nëntorit mori fund faza e parë e mësymjes. Në fazën e dytë, mësymja u mbështet dhe nga Brigadat VIII, X, XVII, XXIV, kjo e fundit vinte nga Kukësi. Mësymja vendimtare filloi në ora 16.00 të datës 11 nëntor. Më 14 e 15 nëntor forcat e Brigadës I u takuan me ato të Brigadës IV dhe VIII në Rrugën e Kavajës. Mëngjesin e 17 nëntorit përfundoi beteja për çlirimin e Tiranës. Pas 19 ditë luftimesh të pandërprera e të përgjakshme, – ku vetëm në qytet humbën jetën 127 luftëtarë, 94 prej të cilëve ishin të Brigadës I, – kryeqyteti shqiptar u çlirua.
