Last Updated on 14/10/2026 by Anisa
”MIRËMËNGJES 🇦🇱🦅🇪🇺 dhe me një tjetër ditë Shqipërie në BE, ju uroj ditë të mbarë🙏”.
Me këtë status e ka nisur mëngjesin kryeministri Edi Rama, duke publikuar pamje nga Luksemburgu, ku ndodhet në kuadër të takimeve për integrimin europian të Shqipërisë.
Në postimin e tij, Rama shfaqet i fokusuar te rruga e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian, ndërsa nuk ka bërë asnjë reagim për protestën e studentëve në Tiranë, e cila u përshkallëzua në përplasje të forta mes protestuesve dhe policisë.
Gjatë deklaratave për mediat nga Luksemburgu, kreu i qeverisë u shpreh se mezi pret mbajtjen në Tiranë të samitit të radhës të BE-së, duke shtuar se deri atëherë Shqipëria do të ketë shënuar përparim të mëtejshëm në procesin e integrimit europian.
Ndërkohë, protesta e 13 tetorit u shoqërua me tensione, përdorim të gazit lotsjellës dhe përplasje fizike, ndërsa pamjet e incidenteve vijuan të qarkullojnë në rrjetet sociale dhe të nxisin reagime publike./ad
