Last Updated on 19/11/2026 by Anisa
Kryeinspektori i Përgjithshëm, Dashnor Sula, ka vlerësuar angazhimin politik të kryeministrit Edi Rama, duke e cilësuar atë si një “politikan race” që punon pa pushim dhe që arrin të dëgjojë të gjitha shqetësimet e qytetarëve.
Sipas Sulës, kjo është një nga arsyet që Partia Socialiste ruan organizimin e saj në terren, ndërsa opozita, sipas tij, po përballet me vështirësi të mëdha në strukturat e saj.
“Edi Rama mund të ketë problemet e veta si politikan, por në fund të ditës është politikan race, që nuk pushon së punuari 24 orë. Këto po i thotë një njeri që po i provon mbi kurriz. Është një njeri që vlerëson çdo lloj situate, një njeri që dëgjon çdo lloj halli dhe problemi të një qytetari, që kjo është një cilësi, që s’e di ku e gjen atë kohë që të reflektojë për gjithçka! Kështu duhet parë. Në një organizim të organizatave të partisë kudo, në një kohë kur kampi opozitar i shkatërron me kazma, si kishat dhe xhamitë të 67-ës!”, tha Sula në “Off the Record” nga Andrea Danglli në A2CNN.
Sula vuri në dukje se opozita nga ana tjetër nuk po gjen dot kandidatët për zgjedhjet vendore të 9 majit.
“Po marr qarkun e Elbasanit, e di ti që opozita s’gjen dot kandidat, po i luten njërit e tjetrit! Opozita fatkeqësisht nuk gjen dot kandidatë dhe lutet për të patur kandidatë. Para disa vitesh grindeshim se kush do ishte kandidat, sot u luten!”
Sipas tij, PD ka shkatërruar strukturat e saj organizative, ndërsa PS mbetet e organizuar, çka do ta ndihmojë të dalë forcë e parë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare të vitit 2029.
“Nuk po ndalem në mbrojtje të PS-së, por me këtë sistem dhe me këtë mënyrë ku është katandisur opozita, prapë PS në 2029-ën i fiton zgjedhjet. Nuk mund të ketë 83, do të ketë më pak, por forcë e parë do të dalë, s’ka rrugë tjetër”, deklaroi Sula.
Më tej, ai u ndal te zgjedhjet vendore të vitit 2027, duke parashikuar një tjetër fitore të socialistëve.
“Shiko zgjedhjet e bashkive në 2027-ën, do t’i fitojë prapë, më shumë. Sepse është më e strukturuar, këta (PD) kanë shkatërruar strukturat. Nuk them se PS i fiton të gjitha, por PS del forcë e parë”, u shpreh Dashnor Sula./ad
