Last Updated on 21/09/2026 by Klara
Mesfushori i Kombëtares, Ylber Ramadani, foli në konferencë për shtyp, pas nisjes së grumbullimit.
Futbollisti kuqezi deklaroi se ekipi duhet të futet në fushë vetëm për fitore, ndërsa zbuloi edhe kërkesën e trajnerit Maran.
“Ndeshja me Bjellorusinë nuk është e lehtë. Tani çdo kundërshtar është i vështirë. Duhet të futemi shumë seriozisht, të ndryshojmë mentalitetin nga dy ndeshjet e fundit miqësore. Të futemi që të fitojmë dhe të shkojmë përpara.
Që nga fillimi, trajneri kur ka ardhur, na ka bërë të qartë që dëshiron të luajë në presing të lartë dhe dëshiron që ta marrim kundërshtarin më përpara. Siç e thashë, trajneri gjithmonë flet dhe e sheh kundërshtarin, në bazë të tij e përgatit edhe lojën që duhet përgatitur. Si ta surprizojmë.
Trajneri preferon një numër 6 dhe dy numra 8? Nuk e kam problem. Dhe kur kam qenë në formën time më të mirë, nuk ka pasur problem dhe kur nuk kam luajtur. Këtu jemi në kombëtare dhe përfaqësojmë Shqipërinë. Këtu mblidhen të gjithë lojtarët më të mirë. Luajta apo jo, nuk e kam problem. Do t’i mbështes çunat si brenda dhe jashtë. Vetëm për të arritur objektivin që kemi si skuadër.
Titullar? Të gjithë kanë dëshirë që të luajnë dhe përfaqësojnë shtetin e tyre. Këtu zgjedhjet dhe të gjitha i bën trajneri dhe jam 100% me të. Po luajta apo jo, nuk ka problem. Vetëm të fitojmë dhe të arrijmë rezultatin që duam.
Për mendimin tim, futbolli ka ndryshuar. Nuk ka skuadër të lehtë, të gjithë vrapojnë dhe luftojnë. Secila skuadër mund të surprizojë. Ne kemi objektivin tonë, e ka shprehur dhe trajneri. E shprehim edhe ne. Dëshirojmë të dalim të parët në grup”, u shpreh Ramadani./k.m
