Organizata ndërkombëtare Freedom House me seli në Uashington ka publikuar këtë të enjte, më 19 mars, raportin e saj vjetor për Lirinë në Botë, ku theksohet se liria globale ka pësuar rënie për të 20-in vit me radhë.
Sipas raportit, gjatë vitit 2025, plot 54 vende përjetuan përkeqësim të të drejtave politike dhe lirive civile, ndërsa vetëm 35 shënuan përmirësime. Aktualisht, vetëm 21 për qind e popullsisë së botës jeton në vende të vlerësuara si të lira, një rënie e ndjeshme krahasuar me 46 për qind dy dekada më parë.
“Edhe pse viti 2026 ka sjellë mundësi të reja për ata që jetojnë nën sundim autoritar nga Venezuela në Iran, 20 vitet e fundit kanë qenë një periudhë e errët për lirinë globale,” tha Jamie Fly, drejtor ekzekutiv i Freedom House.
Sipas kreut të organizatës, konfliktet e armatosura, grushtet e shtetit dhe shtypja e të drejtave nga regjimet autoritare kanë sjellë dy dekada të plota rënieje. Ai u bëri thirrje vendeve demokratike të forcojnë mbështetjen për aspiratat e njerëzve që përballen me shtypje.
“Konfliktet e armatosura, grushtet e shtetit, sulmet ndaj institucioneve demokratike dhe shtypja e të drejtave nga autoritarët kanë sjellë tashmë dy dekada të plota rënieje. Ata që ende gëzojnë bekimet e lirisë duhet të bëjnë më shumë për të kundërshtuar autoritarizmin dhe për të ofruar mbështetje më efektive për aspiratat demokratike të njerëzve që përballen me shtypje në mbarë botën, përndryshe kjo rënie e vazhdueshme do të vazhdojë.”, tha Fly.
Raporti thekson se:
–Liria globale ra për të 20-in vit radhazi në 2025. 54 vende përjetuan përkeqësim, ndërsa 35 përmirësime.
–Rritjet më të mëdha: Siria (+5 pikë), Sri Lanka (+5 pikë), Bolivia (+4 pikë), Gaboni (+4 pikë).
–Vlerësimet më të larta: Finlanda (100 pikë), Suedia (99 pikë), Norvegjia (99 pikë), Zelanda e Re (99 pikë).
–Rëniet më të mëdha: Guinea-Bissau (−8 pikë), Tanzania (−7 pikë), Burkina Faso (−5 pikë), Madagaskari (−5 pikë), El Salvador (−5 pikë).
–Statuset e ndryshuara: Bolivia, Fixhi dhe Malawi kaluan nga “Pjesërisht të Lira” në “Të Lira”.
–Shtypja autoritare: Në Iran, autoritetet arrestuan mbi 21 mijë persona dhe dëbuan rreth 1.8 milionë migrantë afganë, duke ulur rezultatin e vendit në 10 nga 100 pikë që kishte. Rusia (12) dhe Kina (9) mbetën të pandryshuara, por shtypën më tej fjalën kundër luftës dhe protestat.
Raporti vëren se liria e medias, shprehja personale dhe procesi i rregullt ligjor kanë pësuar goditjet më të rënda gjatë dy dekadave të fundit. Megjithatë, shumica e demokracive kanë mbetur të qëndrueshme: nga 87 vende të vlerësuara si të Lira në 2005, 76 kanë mbetur të tilla deri sot.
Rekomandimet kryesore:
-Forcimi i koordinimit demokratik dhe veprimit kolektiv.
-Rikonceptimi i ndihmës ndërkombëtare për demokracinë me financim më të gjerë dhe të koordinuar.
-Prioritet angazhimit me brezat e rinj në hapësirat digjitale ku formohet identiteti qytetar.
Raporti Freedom in the World përfshin vlerësime për të drejtat politike dhe liritë civile në 195 vende dhe 13 territore. Edicioni i 53-të mbulon zhvillimet nga 1 janar deri më 31 dhjetor 2025 dhe bazohet kryesisht në Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut të vitit 1948. Raporti financohet tërësisht nga donacione private dhe nuk merr fonde qeveritare./kb
