Last Updated on 25/02/2026 by EL
Më pak të huaj kanë zgjedhur të vizitojnë Shqipërinë këtë janar. Sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT në muajin e parë të vitit 2026 kanë hyrë në vendin tonë 552 mijë shtetas të huaj, duke shënuar një rënie prej 1.5% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025.
Ekspertët vërejnë se kjo është hera e parë që hyrjet e turistëve shënojnë rënie në muajin janar që nga periudha e pandemisë. Pas vitit 2022, vendi u kthye në një destinacion të preferuar turistik, duke zgjatur sezonin përtej muajve të verës, me rritje të vizitave në qytete si Tirana, Berati, Gjirokastra dhe Korça. Në janar 2025 hyrjet e të huajve u rritën me 14.5%, ndërsa në 2024 zgjerimi ishte gati 30%.
Sipas aktorëve të tregut, ndikim negativ ka pasur moti i keq i janarit. Tendenca e ngadalësimit kishte nisur që në vitin 2025, kur hyrjet e të huajve u rritën me vetëm 6.6%, niveli më i ulët që nga pandemia.
Ndërkohë, ndryshe nga të huajt, daljet e shtetasve shqiptarë jashtë vendit u rritën me 3.3%.
Të dhënat zyrtare tregojnë se përgjatë muajit janar 2026 në territorin shqiptar hynë gjithsej 1,196,550 shtetas shqiptarë dhe të huaj . Nga ana tjetër, dolën 1,343,073 persona, me një rënie prej 1.3%.
Sipas INSTAT, 98% e hyrjeve të të huajve janë për qëllime personale. Pjesa më e madhe e vizitorëve vijnë nga Evropa Jugore, që përbën 88% të hyrjeve nga Evropa, e ndjekur nga Evropa Perëndimore me 6%./et
