Autoritetet dhe forcat izraelite të sigurisë kanë shënjestruar qëllimisht fëmijët palestinezë, duke kryer gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte në Gaza, si edhe krime lufte në Bregun Perëndimor të pushtuar, thuhet në një raport të publikuar të martën nga një komision i pavarur hetimor i OKB-së.
Raporti i Komisionit të Pavarur Ndërkombëtar Hetimor të OKB-së për Territoret e Pushtuara Palestineze, përfshirë Jerusalemin Lindor dhe Izraelin, shqyrtoi shkeljet ndaj fëmijëve palestinezë që nga fillimi i luftës mes Izraelit dhe Hamasit më 7 tetor 2023.
Sipas raportit, rreth 30% e personave të vrarë në luftën e Gazës ishin fëmijë.
Një raport i mëparshëm i komisionit, i publikuar në shtator, kishte arritur në përfundimin se Izraeli kishte kryer gjenocid në Gaza dhe se zyrtarë të lartë izraelitë, përfshirë kryeministrin Benjamin Netanyahu, kishin nxitur këto veprime. Izraeli i kishte cilësuar këto akuza si skandaloze.
Misioni izraelit në Gjenevë deklaroi se e refuzon atë që e quajti “raporti i dytë shpifës dhe propagandistik” i komisionit.
“Izraeli e hedh poshtë këtë farsë shpifëse”, thuhet në deklaratë, duke shtuar se “çdo fëmijë meriton mbrojtje” dhe se raporti injoron “taktikat brutale të Hamasit”.
Komisioni i OKB-së tha se fëmijët palestinezë janë shënjestruar dhe vrarë qëllimisht gjatë luftës, madje edhe pas hyrjes në fuqi të armëpushimit në tetor 2025. Sipas raportit, kjo përbën një element kyç që dëshmon qëllimin gjenocidal të autoriteteve dhe forcave izraelite për të shkatërruar, tërësisht ose pjesërisht, grupin palestinez në Gaza.
“Provët tregojnë se fëmijët palestinezë janë shënjestruar dhe vrarë qëllimisht nga forcat izraelite të sigurisë”, deklaroi kryetari i komisionit, Srinivasan Muralidhar.
Mijëra fëmijë të vrarë
Raporti vëren se përqindja e fëmijëve të vrarë në këtë konflikt është më e lartë se në konfliktet e mëparshme. Midis 7 tetorit 2023 dhe 7 tetorit 2025, të paktën 20.179 fëmijë u vranë, duke përbërë rreth 30% të numrit total të viktimave.
Për krahasim, gjatë luftimeve në Gaza në vitet 2008–2009 dhe 2014, fëmijët përbënin rreth 24% të viktimave të lidhura me konfliktin.
Komisioni thekson se forcat izraelite vazhduan të përdornin municione me fuqi të lartë shpërthyese dhe armë me efekt të gjerë në zona të banuara dendur, pavarësisht rritjes së numrit të viktimave fëmijë.
“Kjo tregon se sulme të tilla, që vranë fëmijë në numër kaq të madh, ishin të qëllimshme”, thuhet në raport. Sipas hetuesve, fëmijët u morën në shënjestër kolektivisht sepse forcat izraelite e konsideronin popullsinë civile të lidhur me Hamasin dhe grupet e tjera të armatosura.
Në reagimin e tij, misioni izraelit në Gjenevë deklaroi se Izraeli “përpiqet vazhdimisht të minimizojë dëmet ndaj fëmijëve edhe në situata konflikti” dhe e hodhi poshtë me forcë pretendimin se shënjestron qëllimisht fëmijët.
Muralidhar tha se duke sulmuar fëmijët, Izraeli po minon aftësinë e popullit palestinez për të ekzistuar dhe për të përcaktuar të ardhmen e tij.
Raporti shton se kushtet e vendosura nga Izraeli në Gaza, përfshirë sulmet e përhapura, zhvendosjet e përsëritura dhe urinë e shkaktuar nga bllokada e ndihmave, ushqimeve dhe ilaçeve, kanë dëmtuar rëndë shëndetin dhe zhvillimin e fëmijëve, duke shkaktuar vdekje të parandalueshme dhe trauma të thella.
Hetimi gjeti gjithashtu se sulmet ndaj objekteve shëndetësore dhe atyre të kujdesit riprodhues kanë ndikuar në mbijetesën e të porsalindurve, kanë rritur rastet e abortit spontan dhe kanë bërë që pothuajse të gjithë fëmijët në Gaza të kenë nevojë për mbështetje psikologjike.
Nga ana tjetër, Izraeli deklaroi se raporti nuk përmend rolin e tij në lehtësimin e vaksinimeve, hyrjen e personelit mjekësor dhe ngritjen e spitaleve fushore. Po ashtu, ai akuzoi Hamasin për devijimin sistematik të ndihmave humanitare dhe karburantit të destinuar për spitalet, akuza që Hamasi i ka mohuar.
Dhunë në rritje në Bregun Perëndimor
Në Bregun Perëndimor, përfshirë Jerusalemin Lindor, komisioni konstatoi një rritje të ndjeshme të dhunës së kolonëve izraelitë ndaj fëmijëve palestinezë dhe dokumentoi prova për tortura, përfshirë dhunë seksuale dhe me bazë gjinore, gjatë arrestimeve masive dhe ndalimeve.
Sipas raportit, fëmijët palestinezë, veçanërisht djemtë, iu nënshtruan keqtrajtimeve sistematike gjatë ndalimit, përfshirë zhveshjen me forcë, rrahjet dhe privimin nga ushqimi.
Komisioni arriti në përfundimin se këto veprime përbëjnë krime kundër njerëzimit, përfshirë torturën dhe akte të tjera çnjerëzore që shkaktojnë vuajtje të mëdha ose dëmtime serioze.
Izraeli kundërshtoi gjithashtu këto gjetje, duke argumentuar se raporti nuk merr parasysh “kërcënimin e vazhdueshëm terrorist” ndaj të cilit, sipas tij, po përgjigjen forcat izraelite të sigurisë./mxh
