Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka reaguar ndaj deklaratave të kryeministrit Edi Rama mbi lirinë e medias në Shqipëri, duke e akuzuar se po përpiqet të zëvendësojë problemet reale të medias me “statistika propagande” dhe “zhurmë politike”.
Në një reagim të publikuar në platformën X, Tabaku shkruan se “zhurma nuk është liri e medias”, duke iu përgjigjur drejtpërdrejt postimit të Ramës, i cili kishte kundërshtuar raportet dhe kritikat ndërkombëtare mbi situatën e medias në vend.
Sipas Tabakut, problemi kryesor në Shqipëri nuk është mungesa e debatit apo e pranisë së opozitës në media, por mungesa e një gazetarie të lirë dhe të pavarur që mund të hetojë pushtetin pa presion dhe pa frikë.
“Problemi ynë nuk është mungesa e zhurmës në televizione apo rrjete sociale. Problemi është mungesa e besimit tek një media e pavarur që mund të hetojë me imtësi pushtetin, korrupsionin dhe vendimmarrjen publike”, shkruan ajo.
Deputetja demokrate argumenton se prej vitesh është ndërtuar një sistem që kontrollon ekonominë, pushtetin lokal dhe gradualisht median, duke krijuar varësi ekonomike, presion dhe autocensurë tek gazetarët.
Ajo përmend gjithashtu raste të intimidimit, diskreditimit publik dhe përjashtimit të gazetarëve nga akseset institucionale, duke theksuar se kjo situatë “prodhon jo liri reale, por një simulakër të saj”.
Tabaku e lidh debatin mbi median edhe me procesin e integrimit europian, duke deklaruar se standardet europiane nuk maten me “metrika komunikimi”, por me institucione të pavarura, transparencë dhe besim publik.
“Liria e medias nuk matet me numrin e deklaratave opozitare në ekran. Matet me faktin nëse një gazetar mund të hetojë lirshëm pushtetin pa frikën e kërcënimit apo ndëshkimit”, thekson ajo.
Në fund të reagimit të saj, Tabaku akuzon qeverinë se është më e interesuar të prodhojë “zhurmë politike dhe ndarje tribale sesa gazetari të pavarur”, duke shtuar se “pikërisht në këtë mjegull zhurme fshihet shpesh mungesa e së vërtetës”./et
