Presidenti iranian, Masoud Pezeshkian, deklaroi se kundërshtarët e Iranit nuk e kishin parashikuar aftësinë ushtarake dhe teknologjike të forcave iraniane gjatë konfliktit të fundit, të cilin autoritetet iraniane e quajnë “Lufta e Ramazanit”.
Gjatë një takimi me drejtues të sektorit të mbrojtjes, Pezeshkian tha se kapacitetet mbrojtëse dhe sulmuese të Iranit kanë surprizuar kundërshtarët.
“Ata nuk e imagjinonin që forcat tona të armatosura dhe sistemi ynë mbrojtës mund të arrinin rezultate të tilla. Ishte një surprizë e plotë për ta,” deklaroi presidenti iranian.
Nga ana tjetër, ministri i përkohshëm i Mbrojtjes, Majid Ibn Al-Reza, pretendoi se Irani kishte arritur të godiste rreth 210 avionë të armikut dhe t’i shkaktonte dëme që sipas tij kapin vlerën e mbi 7 miliardë dollarëve.
Ai shtoi gjithashtu se industria iraniane e mbrojtjes kishte zhvilluar brenda pak ditësh teknologji për të goditur avionët stealth dhe avionët luftarakë të avancuar, përfshirë modelin F-35.
Deklaratat vijnë në një klimë tensionesh të larta në rajon dhe mes përshkallëzimit të retorikës ushtarake nga Teherani lidhur me aftësitë e tij mbrojtëse dhe raketore./mxh
