Last Updated on 11/11/2025 by Monika
Nënkryetari i Partisë Demokratike dhe njëherësh nënkryetar i Kuvendit, deputeti Agron Gjekmarkaj, ka reaguar pas atentatit të ndodhur mesditën e sotme në dalje të aeroportit të Rinasit, ku mbeti i vrarë Gilmando Dani, një person i njohur nga bota e krimit, ndërsa u plagos shoqëruesi i tij.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Gjekmarkaj e cilëson ngjarjen si dëshmi të humbjes së kontrollit të shtetit dhe dorëzimit të autoritetit qeveritar përballë bandave kriminale. Ai shprehet se vrasja, e ndodhur në një nga zonat me nivelin më të lartë sigurie në vend, tregon se krimi tashmë vepron i papenguar dhe i mbrojtur nga pushteti.
“Ajo që ndodhi sot në Rinas është fotografia më e qartë e një shteti që ka humbur kontrollin dhe e një qeverie që ka dorëzuar autoritetin e vet përballë bandave,” shkruan Gjekmarkaj.
“Në vendin ku duhej të ishte siguria maksimale, ndodhi një vrasje që trondit çdo qytetar dhe e bën secilin të ndjejë se askush nuk është më i mbrojtur.”
Sipas tij, krimi në Shqipëri nuk fshihet më, por “ecën në dritën e ditës me bindjen se askush nuk do ta ndalë”. Deputeti akuzon qeverinë se ka lejuar që bandat kriminale të marrin kontrollin e territorit, ndërsa shteti është shndërruar në spektator dhe policia në “një dekor propagande”.
“Në vend të rendit, kemi një qetësi të rreme; në vend të ligjit, kemi heshtjen e frikshme të pushtetit,” shton ai.
Në përfundim të reagimit, Gjekmarkaj thekson se kjo ngjarje nuk është një episod i izoluar i kronikës së zezë, por një tregues i kapitullimit të shtetit përballë mafies./MXH
