Vetëm prania e ish-kryeministrit britanik minon nderin e çdo luftëtari trim që ai takon përgjatë vijës së frontit. Ky dokumentar nuk duhej të kishte mbërritur kurrë në televizion.
Lucy Mangan
Ja çfarë lexojnë shikuesit në ekran sapo nis “Boris Johnson: Into Ukraine’s Kill Zone”, një dokumentar njëorësh që ndjek ish-kryeministrin britanik gjatë udhëtimit të tij në vijën e parë të luftës mes Rusisë dhe Ukrainës:
“Ky film paraqet këndvështrimin e Boris Johnson mbi konfliktin në Ukrainë. Pikëpamjet e shprehura janë subjektive dhe pasqyrojnë interpretimin e tij personal të ngjarjeve.”
Çfarë është kjo?
Një paralajmërim? Një përpjekje e kompanisë prodhuese për të larë duart pasi pa materialin e xhiruar dhe u tremb? Një kujtesë se çdo rrëfim historik është, në mënyrë të pashmangshme, i njëanshëm?
Apo është paralajmërimi më i drejtpërdrejtë i mundshëm se ajo që do të shihni prezantohet nga një njeri i njohur për gënjeshtrat e tij, një narcisist oportunist, që ndryshon formë sipas interesit dhe që prej kohësh nuk ka më as maskë, sepse maska i është bërë fytyrë?
Mos vallë versioni i parë i këtij mbishkrimi ishte:
“Po, e dimë… ai është plot me marrëzira.”
Ose:
“Pendesa? Kemi ca.”
Apo thjesht:
“Na falni.”
Që në minutat e para të filmit, këto pyetje pushtojnë mendjen e shikuesit, në vend të atyre që Boris Johnson dëshiron të ngrejë (“A ka ndonjë shans që mizoria e Putinit të triumfojë?”).
Ai ndërpret vazhdimisht ushtarët, të cilët përpiqen të shpjegojnë situatën e tyre personale dhe kombëtare, me tentativa të sikletshme për t’u dukur “shok me djemtë”. Nuk pushon së pyeturi për armët e tyre:
“Është 50 kalibër, apo jo?”
Kur sheh një mjet të shkatërruar, brohoret:
“Ia keni shqyer prapanicën atij!”
Madje i thotë një prifti ushtarak:
“Do të lutem për fitoren e Ukrainës, pa merak!”
Ndërkohë, një pyetje tjetër vazhdon të të mundojë gjatë gjithë dokumentarit.
A mund të drejtojë një dokumentar për luftën një njeri që prej kohësh ka humbur çdo autoritet moral? Një njeri, reputacioni i të cilit për gënjeshtra e ndot gjithçka që prek?
Përgjigjja ime është: po, kjo e fundos dokumentarin që në çastin e parë.
Dhe sa më shumë flet Johnson, aq më shumë fundoset.
Brenda një ore ai arrin ta shndërrojë një projekt serioz në një episod të ri të “Shfaqjes së Borisit”, program që shumica prej nesh shpresonin të ishte mbyllur përgjithmonë pas sezonit të tij gjithnjë e më të turpshëm mes viteve 2019 dhe 2022.
Filmi e thekson vazhdimisht faktin se Johnson duhet të mbetet i paidentifikueshëm për arsye sigurie.
Kështu ai vendos një maskë balakllavë në mënyrën e tij të zakonshme, të ngathët – ai është, natyrisht, “kllouni i lindur”.
Pastaj vesh jelekun antiplumb mbrapsht.
Edhe pasi ia rregullojnë si duhet, jeleku i ngrihet lart pas shpine dhe ai duket qesharak.
Gjithçka kjo mund të ishte prerë në montazh.
Sepse nuk duket reale.
Është spektakël në mes të një zone lufte.
Retorika “mahnitëse”, për të cilën Johnson u lavdërua padrejtësisht për vite me radhë, shfaqet këtu në të gjithë zbrazëtinë e saj.
Natën e parë ai dhe ekipi flenë në një apartament pranë zonës së luftimit.
Në mëngjes tregon se ishte zgjuar nga shpërthimet.
“Të vërtetën ta them,” shprehet ai, “po të kishte hyrë bomba nga dritarja jonë, nuk do ta kishim marrë vesh fare. Ja, kështu është.”
Sigurisht.
Një koment që, me sa duket, duhet të na bëjë të kuptojmë më mirë vuajtjet e pafund të civilëve dhe ushtarëve që jetojnë prej katër vitesh nën bombardime.
Ndonjëherë kësaj i shtohet edhe një heroizëm artificial, edhe më irritues.
Kur një dron i detyron të largohen nga një rrugë që po inspektonin së bashku me ushtarët ukrainas, Johnson shpjegon:
“Nuk dua të vë në dyshim autoritetin e komandantit të batalionit. Nëse ai thotë të tërhiqemi, atëherë tërhiqemi.”
Lënia me kujdes e nënkuptimeve, për të krijuar përshtypjen e emocioneve të thella, është bërë me mjeshtëri.
Mbase, mendon shikuesi, pjesët e filmuara më vonë në studio do ta shpëtojnë dokumentarin.
Ndoshta aty Johnson do të ofrojë analizë politike.
Si u arrit deri këtu?
Si mund të përfundojë lufta?
Çfarë alternativash kanë Ukraina, Rusia dhe Perëndimi?
Por jo.
Ai thotë vetëm:
“Nuk besoj se kam parë ndonjëherë një rast kaq të qartë ku dallohet e drejta nga e gabuara… Kjo duhet të marrë fund dhe Perëndimi duhet të zgjohet nga vetëkënaqësia… Është gabim.”
Dhe kaq.
Në rastin më të mirë, mund të mendosh se po sheh Alan Partridge që merret me gjeopolitikë.
Por në fund shfaqet një mbishkrim që ndryshon gjithçka:
“Pranohet gjerësisht, përfshirë edhe nga zyrtarë ukrainas, se zoti Johnson luajti një rol të drejtpërdrejtë në bindjen e Kievit që të hiqte dorë nga bisedimet e Stambollit në pranverën e vitit 2022 – negociata që ishin afër një marrëveshjeje – në favor të vazhdimit të luftimeve. Për këtë arsye, ai mban një pjesë të përgjegjësisë për humbjet e jetëve njerëzore që pasuan, ukrainase, ruse dhe britanike.”
Dhe atëherë kupton se përshtypja jote më e keqe ishte e saktë.
Ky nuk është thjesht një dokumentar i çorganizuar, i prezantuar keq.
Është një dokumentar që nuk duhej të ishte transmetuar kurrë.
Sepse t’ia besosh një njeriu si Boris Johnson rrëfimin e një lufte do të thotë të zbehësh nderin dhe dinjitetin e çdo ushtari trim, të lodhur e të malluar për shtëpinë, që ai takon gjatë rrugës — vetëm me praninë e tij.
Dokumentari “Boris Johnson: Into Ukraine’s Kill Zone” u transmetua në Channel 5.
