Një 32-vjeçar është arrestuar në flagrancë në Tiranë, pasi u kap duke qarkulluar me automjet dhe dyshohet se mbante armë zjarri pa leje.
Operacioni policor i koduar “Last Gun” u finalizua nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1, pas informacioneve operative se një person lëvizte me automjet duke mbajtur armë.
Policia lokalizoi dhe ndaloi në rrugën “Collakët” një automjet tip “Citroen DS3”, me të cilin udhëtonte 32-vjeçari Renato Vuka. Gjatë kontrollit të mjetit, efektivët gjetën një armë zjarri pistoletë dhe municion, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Gjithashtu, policia sekuestroi automjetin, dy telefona celularë dhe shumën prej 15 800 eurosh.
Në përfundim të veprimeve procedurale, 32-vjeçari u arrestua për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme./kb
