Last Updated on 09/09/2026 by Klara
Reforma territoriale dhe mënyra se si po zhvillohet procesi i konsultimit kanë çështjet mbi të cilat ështe pyetur nga gazetarët ambasadori i OSBE-së në Shqipëri, Michel Tarran, në Pogradec.
I pyetur për monitorimin e procesit dhe nëse procedurat janë zhvilluar në mënyrën e duhur, ambasadori theksoi se ende nuk është marrë asnjë vendim dhe se konsultimet vijojnë.
“Së pari unë nuk përfaqësoj këtu BE, unë jam përfaqësues i OSBE dhe në OSBE kemi 57 vende pjesëmarrëse me sisteme shumë të ndryshme. Unë vi nga një vend që për këtë çështje ka një situatë shumë të veçantë. Deri tani kemi 35 mijë komuna/bashki në Francë. Ka vend tjetër ku ka disa dhjetëra bashki. Nuk ka një model që ne imponojmë e konsiderojmë si më të mirë. Çdo vend ka historinë e vet, çdo vend ka traditat e veta, çdo vend ka nevojat e veta”, tha Tarran.
Ambasadori i OSBE-së nënvizoi se nuk i takon organizatës që përfaqëson të përcaktojë se cili duhet të jetë modeli i administrimit territorial në Shqipëri. Sipas tij, vendimi për numrin e bashkive dhe mënyrën e organizimit të pushtetit vendor i takon vetë vendit.
“Dhe sigurisht është puna e vendit, e Shqipërisë, që të vendosë si duhet të organizohet administrata territoriale, me 61 bashki siç është rasti tani, ose me 100, 40 apo 3000. Nuk është puna ime që t’ju tregoj si duhet të organizohet administrata lokale”, tha ai.
Sa i përket procesit të konsultimit, Tarran tha se është ende herët për të dhënë një vlerësim përfundimtar, pasi diskutimet nuk kanë përfunduar. Ai theksoi se çdo ndryshim duhet të paraprihet nga konsultime si në nivel kombëtar, ashtu edhe në atë lokal.
“Mesa di unë, ende nuk është vendosur asgjë. Jemi akoma në fazën e diskutimit, jemi akoma në fazën e konsultimit. Nuk duhet të merret asnjë vendim pa u konsultuar në nivelin kombëtar, por që dhe në nivelin lokal. Me sa di unë, ky konsultim është një proces që tani bëhet dhe është akoma herët për të thënë nëse ky konsultim u bë në mënyrë të mjaftueshme ose nëse ka patur problem nga kjo pikëpamje”, u shpreh Tarran .
Deklaratat u bënë në Pogradec, ku u zhvillua mbledhja e Këshillit Vendor të Sigurisë Publike. Në fokus të aktivitetit kanë qenë masat për garantimin e sigurisë në institucionet arsimore, në prag të nisjes së vitit të ri shkollor. Në takim mori pjesë edhe ambasadori i OSBE-së në Shqipëri, Michel Tarran. /k.m
