Protesta kundër propozimit të PS për Reformën Territoriale ka mbledhur kryebashkiakë, të cilët kundërshtojnë bashkimin e njësive vendore të parashikuar në draft.
Kryebashkiaku i Fushë-Arrëzit, Hilë Curri, deklaroi se ndryshimet prekin rreth 300 mijë banorë dhe ngriti pikëpyetje për kriteret e përdorura në përcaktimin e bashkive që do të shkrihen.
Sipas tij, reforma nuk garanton zhvillim për zonat e prekura. Në të njëjtën linjë u shpreh edhe kryebashkiaku i Memaliajt, Albert Malaj, i cili paralajmëroi se ndryshimet mund të thellojnë shpopullimin dhe u bëri thirrje deputetëve të mos e miratojnë.
Në protestë ka marrë pjesë edhe kryebashkiaku i Kavajës, Fisnik Qosja. Një nga ndryshimet e propozuara parashikon bashkimin e Rrogozhinës me Kavajën./k.m
