Kreu i LZHK Dashamir Shehi, ka komentuar zhvillimet më të fundit lidhur me reformën zgjedhore dhe bisedimet me Sali Berisha, duke theksuar rëndësinë e ndryshimit të rregullave të procesit përpara çdo diskutimi tjetër politik.
I ftuar në emisionin Off the Record nga Andrea Danglli në A2 CNN, Shehi u shpreh se thelbësore është krijimi i një gare të barabartë që në nisje, pasi sipas tij, nëse rregullat janë të padrejta, rezultati i zgjedhjeve ndikohet që në fillim.
“Të ndryshojmë njëherë rregullat e lojës, pastaj se çfarë lojtarësh do zbresin në fushë dhe çfarë uniforme do të kenë është tjetër punë, por nëse nuk hyjmë të barabartë në një fushëbetejë, që në fillim fare zgjedhjet marrin një rrugë siç e kanë marrë në këto vite. Nuk kam ndonjë paragjykim për numrin e deputetëve, më intereson mënyra se si zgjidhen deputetët, se nga një proces elektoral, del një derivate politik. Nëse që në fillim ke vendosur rregulla të shtrëmbta, ku ky lloj produkti del, është paragjykuar që në fillim. A duan 140, apo 100 deputetë, s’jam kundër kësaj. Edhe po të bëhen 100 deputetë nuk shoh gjë të keqe, por mënyra si do zgjidhen deputetët kjo më intereson më tepër”, tha Shehi.
Më tej, ai e cilësoi procesin aktual si një hap në drejtimin e duhur, duke shprehur shpresën që reforma të ecë përpara. Sipas tij, eksperienca e viteve të fundit ka treguar se formula zgjedhore e përdorur ka qenë e gabuar.
“Kjo që kanë bërë është rrugë e mirë, uroj që të shkojë përpara. Ky është proces. Koha tregoi që kjo formulë zgjedhore që kemi përdorur ishte e gabuar”, shtoi kreu i LZHK-së.
