Kalimet e parregullta të kufirit drejt BE-së po bien. Këtë e tregojnë të dhënat më të fundit të Frontex-it, që i janë vënë në dispozicion në mënyrë ekskluzive studios së televizionit gjerman, ARD në Bruksel.
Këtë vit deri në fund të prillit rreth 29.000 persona kanë hyrë në BE në mënyrë të parregullt – pra pa dokumente të vlefshme apo pa leje hyrjeje ose qëndrimi. Ky është niveli më i ulët prej vitesh; në vitin 2023 numri i rasteve ishte ende tri herë më i lartë.
Itinerari kryesor i hyrjes mbetet ai nga Mesdheu, me pikënisje Libinë dhe mbërritje në bregdetin italian. Pas saj vjen rruga e Mesdheut Lindor – përmes Turqisë drejt Greqisë dhe Qipros. Të dyja këto rrugë përbëjnë secila afro një të tretën e të gjitha hyrjeve të parregullta në BE.
Më shumë se 1.200 të vdekur në Mesdhe
Sipas Frontex-it, kjo konfirmon një trend të qartë: që gjatë gjithë vitit 2025, hyrjet e parregullta ranë me më shumë se një të katërtën krahasuar me vitin paraardhës. Bashkëpunimi me vendet partnere, për shembull në bregdetin e Afrikës së Veriut, ka kontribuar ndër të tjera në këtë rënie. Në këmbim të fondeve të BE-së, këto vende i pengojnë njerëzit të nisen drejt BE- po ashtu ato gjithnjë e më shumë po luftojnë rrjetet e trafikantëve.
Po ashtu, kushtet e vështira të motit në fillim të vitit duket se kanë penguar disa njerëz nga migrimi i rrezikshëm. Megjithatë humbjet e jetëve në Mesdhe janë të larta. Sipas Organizatës Ndërkombëtare për Migracionin, deri tani këtë vit më shumë se 1.200 njerëz kanë humbur jetën në Mesdhe./kb
