Last Updated on 15/06/2026 by Leonard
nga Mentor Hoxha, Francë
Më 13 qershor u hap në Musée des Beaux-Arts de Chambéry (Muzeu i Arteve të Bukura) ekspozita me titull ICÔNES D’ALBANIE (Ikonat e Shqipërisë) ku u prezantuan për herë të parë në Francë dyzet e nëntë ikona nga fondi i Muzeut Kombëtar të Artit Mesjetar në Korçë. Bashkë me mikun tim piktor Klement Sina ishim të ftuar në këtë eveniment dhe në disa ngjarje të tjera me aromë shqiptare që po organizohen në muajin e kulturës shqiptare nga bashkia franceze e Shamberisë, përshihen ekspozita, konferenca shkencore dhe filma franko- shqiptar si Loin des Barbares (Larg barbarëve), Slogans (Parullat), Luna Park (Luan Park) etj.
“Ikonat e Shqipërisë – Thesaret e Muzeut Kombëtar të Artit Mesjetar të Korçës” është një projekt i rëndësishëm i bashkëpunimit kulturor Korçë-Chambéry, midis Muzeut Kombëtar të Artit Mesjetar dhe Musée des Beaux-Arts de Chambéry, me mbështetjen e Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit shqiptar. Në inagurim morën pjesë mbi 250 francezë dhe shqiptarë.
Kryebashkiaku Z. Thierry Repentin, në fjalën e tij theksoi bashkëpunimin e Bashkisë së Chambërisë dhe Bashkisë së Korçës si dhe rëndësinë e këtij bashkëpunimi. Binjakëzimi midis tyre nisi në vitin 2024.Kjo ekspozitë do të qëndrojë e hapur deri më 13 nëntor 2026. Ajo konsiderohet si një moment krenarie për Shqipërinë pasi sjell para publikut francez një pjesë të historisë, kulturës dhe identitetit shqiptar. Përmes 49 veprave të ekspozuara, francezët kanë mundësinë të zbulojnë vlerat artistike dhe shpirtërore të ikonave shqiptare në disa etapa të historisë njerëzore. Restauratori i njohur shqiptar dhe përzgjedhësi i ikonave në këtë ekspozitë, Genti Proko na bëri një prezantim të shkurtër mbi autorët dhe mbi pikturat e përzgjedhura.
Krahas ekspozitës, ishte ngritur në qendrën turistike të qytetit të Shamberisë një tendë ku në ballinë të saj shkruhej: Desnitation Korça – Albanie. Aty gjeje foto nga vendet turistike në Korçë dhe Shqipëri si dhe simbole kombëtare; flamuj, qeleshe, veshje popullore, suvenire të ndryshme etj. Drejtuesja e kësaj tende, Alba Velushi, specialiste e turizmit në Bashkinë Korçë po bënte një punë të shkëlqyer në informimin e vizitorëve të shumtë që interesoheshin për Shqipërinë dhe atraksionet turistike të saj.
Unë dhe Klementi nuk mund të rrinim pa pirë një kafe me shqiptarët më të sukesshëm të këtij qyteti si Aurela Aleksi nga Berati, punonjëse në funksion në Bashkinë e Shamberisë, Emil Hoxha, përkthyes ligjor, Genti Kaceli me familjen etj., të cilët nga treguan për jetën e tyre, për komunitetin shqiptar dhe për historinë e këtij qyteti të bukur dhe të lashtë ku jetuan figura të shquara botërore. Genti na shoqëroi gjatë vizitës dy orëshe në shtëpinë dykatëshe ku banoi filozofi, kompozitori dhe shkrimtari i madh Jean-Jacques Rousseau ku pamë dhomën e gjumit të tij dhe të bashkëshortes, dhomën e ngrënies, pianon, bibliotekën etj. Më pas, na dërgoi te kështjella Chateau des Ducs de Savie ku kalonte pushimet verore mbreti shqiptar, Victor Emanuel III, duke mbyllur kështu një ditë interesante në këtë qytet që e shihja për herë të parë.
Në mbrëmje u riktheva në Lyon ku ndoqa si gazetar manifestimin e rreth një mijë shqiptarëve të Lyonit në përkrahje të kërkesave të manifestuesve në Tiranë. Ky marshim i fuqishëm dhe mjaft i civilizuar, i organizuar nga shoqata shqiptare në Lyon “Royaume du Soleil” me president Z. Leon Molla, e veshi kuq e zi për dy orë rresht Kryeqytetin e Galëve. Marshimi nisi në këmbë në Perrache dhe përfundoi në Hôtel de Ville (Bashkia e madhe e qytetit). Protestuesve u printe me motoçikleta dhe makina policia dhe xhandarmëria. Këtij manifestimi iu bashkuan edhe 100 shqiptarë nga Saint-Étienne të kryesuar nga dibrania Njovi Tonuzi dhe disa manifestues nga Tropoja.
Flamujtë shqiptarë, vallet popullore, veshjet dhe simbolet kombëtare të manifestuesve, shumica fëmijë dhe të rinj, tërhoqën vëmendjen e lionezëve, ku mjaft prej tyre u bashkuan me ta në shenjë solidariteti.
Përshtypje të madhe më la një vajzë e bukur 30 – vjeçare nga vendlindja e kryetarit të PD-së, Sali Berisha, e cila kishte kryer shkëlqyeshwm studimet për drejtësi në Paris dhe në Lyon. E veshur me kostum kombëtar dhe me një qeleshe të bardhë në kokë me shqiponjë ajo konsiderohej si shpirti i protestës. Pyetjes sime se përse proteston ajo u përgjigj: “Protesoj sepse jam kundër sistemit politik në Shqipëri dhe kundër gjithë klasës politike që nga viti 1992, e cila është pasuruar në mënyrë të paligjshme; protesoj kundër arrogancës së pushtetarëve, kundër emërimeve me mik dhe pa meritokraci, kundër oligarkisë dhe kundër shitjes së Shqipërisë për favore politike dhe personale”.
Kështu u mbyll për mua si gazetar e shtuna në Francë me plot ekspozita të bukura dhe manifestime të fuqishme ku u shfaq identiteti kombëtar përmes ikonave dhe simboleve të shumta kombëtare duke zgjuar kureshtjen dhe emocionet e qindra francezëve.

