Në Shqipëri, nuk kemi më nevojë për filma aksion. Dikur frymëzoheshim nga fantazia e Hollywood-it, por sot jetojmë çdo ditë në një Netflix të përjetshëm, ku rrugët janë skenat dhe qytetarët viktimat e pafajshme.
Në çdo cep lagjeje, një motor kalon me zhurmë dhe gjithë kafeneja ngrin për dy sekonda: kush e ka radhën sot? Banakieri që nuk ka ndezur ekspresin e kafes, apo kamarieri që ka parë shumë? Krimi është bërë si ajri: nuk e sheh, por e ndien që të mungon oksigjeni.
Nuk është më lajm kur vritet dikush, gabimisht ose me organizim të niveleve galaktike. Është thjesht “e hëna” apo çdo ditë tjetër kur ti nuk e pret. Një tjetër njeri në vendin e gabuar, në kohën e gabuar, përballë plumbit që nuk pyet kush është i pafajshëm. Dhe ndërkohë, ne mblidhemi nëpër komente online si ekspertë kriminalistikash, duke shpërndarë teoritë tona me kafen e mëngjesit. Një popull që e ka bërë krimin pjesë të rutinës, me të njëjtën qetësi me të cilën shkon te berberi apo te llotaria për “fat të mirë”.
Fajin nuk e ka vetëm “mafia” apo politika. E kemi bërë të gjithë nga pak këtë terrin që na mbulon. Ne që e quajmë “trimëri” dhunën, që brohorasim kur dikush “ia tregon vendin” tjetrit. Ne që i rrisim djemtë me këshillën “mos u bëj budalla”, që në përkthim do të thotë “bëhu më i forti, sado pis të jetë loja”. Nga kjo filozofi rrugësh, lindin njerëz që s’e dinë më dallimin mes respektit dhe frikës.
Ndërkohë, në familjet tona, “dashuria” shpesh shprehet me grushta. Në lajme, nënat e vdekura janë statistikë; burrat që vrasin “nga xhelozia” trajtohen si viktima të pasioneve. Në një vend ku “privatësia” do të thotë të mos përzihesh kur dëgjon britma në apartamentin ngjitur, krimi nuk ka pse të fshihet më. Ai është i mirëpritur, si pjesë e identitetit tonë kombëtar të ri: shqiptarë, krenarë dhe pak të rrezikshëm.
E pastaj pyesim pse rinia do të ikë. Ku tjetër mund të gjejë një vend ku adrenalina është falas, ku mund të vdesësh thjesht duke pirë një birrë në qetësi? Në Europë, duhet të paguash për eksperienca të tilla ekstreme. Këtu, janë pjesë e shërbimit. Dhe ne, si klientë besnikë, e pranojmë këtë realitet me një buzëqeshje të lodhur, duke bërë shaka për vdekjen, se ndryshe do na merrte malli për jetën.
Në fund të fundit, Shqipëria është bërë një vend ku askush s’e di nëse po jeton apo po pret radhën. Kafja pihet me shpresë, rruga kalohet me lutje dhe darka hahet me lajmet që na tregojnë kush është “gabimi” i radhës. Një vend ku edhe shpresa është bërë e armatosur. Pse? Sepse për të mbijetuar këtu, duhet të kesh ose armë, ose ironi. Dhe ne, me fatin që kemi, na ka mbetur vetëm kjo e dyta. E përdorim më së miri duke krijuar ‘meme’ dhe na duket vetja një shkallë më lart falë tyre. m.p.
