Last Updated on 18/09/2026 by EL
Nga Eduard Zaloshnja
Dje zhvillova sondazhin elektronik Top Poll për emisionin Top Story, përmes shpërndarjes së linkut të pyetësorit me SMS krejt të rastësishme nga Vermoshi në Konispol. Pyetësorin e plotësuan 1223 banorë të rritur të vendit. Tema e sondazhit ishte vendimi i Gjykatës së Hagës për katër udhëheqësit e UÇK-së.
Pyetjes kryesore “Nga sa e keni ndjekur gjykimin e 4 udhëheqësve të UÇK-së në Hagë, a mendoni se ata janë fajtorë për krime lufte?” plot 80.5% e të anketuarve iu përgjigjën “Anoj nga jo”. Pra shumica dërrmuese e banorëve të rritur të Shqipërisë nuk janë dakord me vendimin e GJykatës së Hagës, që u ngrit për të përfaqësuar popullin e Kosovës (nën trysninë ndërkombëtare).
Rreth 14.3% e të anketuarve ishin dakord me vendimin e Gjykatës së Hagës dhe 5.2% ishin të dyzuar, por ata ishin kryesisht të rinj (ndoshta me njohuri të mangëta rreth të luftës së UÇK-së…).
Grafiku 1

Pyetjes “Si ju duket reagimi i politikës në Shqipëri ndaj dënimit të 4 udhëheqësve të UÇK-së në Hagë? rreth 56.3% e të anketuarve u përgjigjën “I duhuri”. Ndër ta mbizotëronin të anketuar që kishin votuar vjet për PS-në. Nga ana tjetër, rreth 32.2% u përgjigjën “I vakët”, dhe shumica dërrmuese e tyre ose nuk kishin votuar fare ose kishin votuar për partitë opozitare. Nërkohë 11.5% u përgjigjën “I ashpër”, ku shumica ishin të rinj…
Grafiku 2

Pyetjes “Me kë mendoni se ka qenë komuniteti ndërkombëtar më i ashpër deri më sot në lidhje me krimet e luftës të kryera në Kosovë?” pothuaj 89% iu përgjigjën “Me shqiptarët” duke shprehur kështu zhgënjimin pothuaj unanim të popullsisë së rritur të Shqipërisë me qendrimin që ka mbajtur komunteti ndërkombëtar ndaj krimeve të luftës në Kosovë. Në një vend ku pothuaj 90% e popullsisë i konsideron SHBA-në dhe BE-në si partnerët më të rëndësishëm strategjikë, zhgënjimi i shprehur në këtë sondazh flet shumë…
Grafiku 3

