Autoritetet zvicerane kanë pranuar dështime serioze në kontrollet e sigurisë pas zjarrit tragjik në një bar në Crans-Montana, i cili shpërtheu gjatë festimeve të Vitit të Ri.
Ngjarja e rëndë la gjithashtu 116 të plagosur, ndërsa më shumë se dy të tretat vijojnë të trajtohen në spital.
Sipas zyrtarëve, lokali “Le Constellation” nuk ishte inspektuar që prej vitit 2019. Kryebashkiaku i Crans-Montana-s, Nicolas Feraud, kërkoi ndjesë publike në një konferencë për shtyp, duke deklaruar se bashkia “nuk kishte asnjë sinjal” se kontrollet periodike nuk ishin kryer. Ai njoftoi gjithashtu ndalimin e menjëhershëm të përdorimit e fishekzjarreve brenda ambienteve të mbyllura, të cilët dyshohet se shkaktuan zjarrin.
“Inspektime periodike nuk u kryen midis viteve 2020 dhe 2025. Këshilli Bashkiak u vu në dijeni të kësaj situate pasi shqyrtoi dokumentet e paraqitura në zyrën e prokurorit publik fundjavën e kaluar. Na vjen shumë keq për këtë. Gjykata do të përcaktojë ndikimin e kësaj mbikëqyrjeje në zinxhirin e ngjarjeve që çuan në tragjedi. Ne do të marrim përsipër të gjithë përgjegjësinë që përcaktojnë gjykatat,” deklaroi kryebashkiaku i Crans Montana.
Kryebashkiaku bëri të ditur se është mbyllur edhe një tjetër lokal i menaxhuar nga të njëjtët drejtues të “Le Constellation”.
Feraud shtoi se raporti i zjarrit i vitit 2019 nuk evidentonte probleme sigurie, se materiali izolues i përdorur në lokal ishte konsideruar i pranueshëm në atë kohë dhe se, për shkak të madhësisë së ambientit, nuk kërkohej instalimi i alarmit të zjarrit. Megjithatë, ai pranoi se sipas rregullave lokale, kontrollet e sigurisë në bare duhet të kryhen çdo vit.
“Ne kemi vendosur të ngarkojmë një firmë të specializuar të jashtme për të kryer një inspektim të 128 ndërtesave tona publike në bashki sa më shpejt të jetë e mundur. Si pjesë e këtij mandati, bashkia do të kërkojë gjithashtu një inspektim të materialeve (ndërtimore dhe izoluese), edhe pse ligji nuk e kërkon këtë. Përndryshe, inspektimi nuk do të arrijë objektivin e tij, që është rritja e sigurisë,” deklaroi kryebashkiaku i Crans Montana.
Autoritetet konfirmuan se të gjitha viktimat janë identifikuar.
Procesi i identifikimit u vështirësua për shkak të plagëve të rënda nga djegiet, duke detyruar autoritetet t’u kërkojnë familjarëve mostra ADN-je. Ndërkohë, policia zvicerane bëri të ditur se dhjetëra persona vijojnë të jenë të shtruar në spital, ndërsa hetimet për shkaqet dhe përgjegjësitë e tragjedisë vazhdojnë./mxh
