Last Updated on 06/04/2026 by Anisa
Sipas raportimeve të Reuters, Irani dhe Shtetet e Bashkuara kanë rënë dakord për një plan me dy faza që synon t’i japë fund konfliktit mes tyre, duke hapur rrugën për një marrëveshje më të gjerë paqeje.
Burime të afërta me negociatat bëjnë të ditur se plani parashikon fillimisht një armëpushim të menjëhershëm, i cili do të pasohet nga një periudhë 15–20 ditore për të arritur një marrëveshje përfundimtare.
Dokumenti fillestar pritet të marrë formën e një memorandumi mirëkuptimi dhe do të finalizohet elektronikisht përmes Pakistani, që aktualisht shërben si kanali i vetëm i komunikimit mes palëve.
Ky zhvillim vjen në një moment tensionesh të larta, pasi Donald Trump ka kërcënuar me sulme ndaj infrastrukturës kritike iraniane nëse Ngushtica e Hormuzit nuk rihapet brenda një afati të caktuar.
Sipas propozimit, armëpushimi do të përfshijë pikërisht rihapjen e kësaj ngushtice strategjike, jetike për tregtinë globale të naftës. Marrëveshja paraprake, e quajtur “Marrëveshja e Islamabadit”, pritet të pasohet nga negociata të drejtpërdrejta në kryeqytetin pakistanez.
Në fazën përfundimtare, marrëveshja mund të përfshijë angazhime nga Irani për të mos zhvilluar armë bërthamore, në këmbim të heqjes së sanksioneve ndërkombëtare dhe lirimit të aseteve të ngrira, duke shënuar një hap potencialisht historik për stabilitetin rajonal dhe global.
