Pas një mungese të gjatë nga kinematografia, Ricky Martin është gati të rikthehet në ekranin e madh me një projekt të ri ndërkombëtar.
Këngëtari portorikan është pjesë e kastit të filmit “Hombre al Agua”, një komedi-dramë me nota sureale e drejtuar nga aktori dhe regjisori meksikan Gael García Bernal. Martin nuk do të jetë vetëm para kamerës, pasi është përfshirë në projekt edhe si producent ekzekutiv.
Filmi pritet të prezantohet për herë të parë në festivalet e Venecias dhe Torontos gjatë muajit të ardhshëm. Sipas raportimeve të “Deadline”, Martin iu bashkua produksionit pak para se të nisnin xhirimet në Meksikë.
Historia fokusohet te Camilo, një roje plazhi kubanez, i interpretuar nga vetë Bernal. Jeta e tij merr një kthesë të papritur pasi ai shpëton nga mbytja Abel, një biznesmen i fuqishëm meksikan që synon të hyjë në politikë.
Pas këtij takimi, Camilo udhëton drejt Meksikës dhe gradualisht bëhet një nga njerëzit më të afërt të biznesmenit. Marrëdhënia mes tyre e çon atë në një jetë krejtësisht të re, deri aty sa ai martohet me vajzën e Abel. Por pasuria, pushteti dhe politika e përfshijnë në një botë shumë më të rrezikshme nga ajo që kishte njohur më parë.
Në këtë histori, Ricky Martin interpreton Roby-n, një aktor që zgjidhet për të portretizuar Camilo-n në një film biografik që po realizohet nga bashkëshortja e tij.
Bernal ka zbuluar se Martin ishte menduar që në fillim për këtë rol, edhe pse ideja i dukej thuajse e pamundur. “Ricky ishte i pari që mendova për rolin”, ka treguar ai, duke shpjeguar se për një kohë të gjatë nuk kishte mundur të kontaktonte këngëtarin.
Më në fund, pak para fillimit të xhirimeve, regjisori arriti të siguronte kontaktin e Martin dhe i telefonoi. Sipas Bernal, përgjigjja e këngëtarit ishte e menjëhershme: “Çfarëdo që të duash”.
Përveç Martin dhe Bernal, në film janë përfshirë edhe Esmeralda Pimentel, Débora Nascimento, Natalia Oreiro, Anna Díaz, Manuel García Rulfo dhe Jorge Salinas.
Produksioni është realizuar nga La Corriente del Golfo, kompania e Gael García Bernal dhe Diego Luna, ndërsa skenari është shkruar nga Bernal në bashkëpunim me Mariano Pensotti.
“Hombre al Agua” pritet të mbërrijë në kinematë meksikane më 24 shtator. Filmi është gjithashtu në listën e 17 produksioneve që konkurrojnë për të përfaqësuar Meksikën në edicionin e 99-të të Çmimeve Oscar./mxh
