Melisa Raouf u bë pjesë e historisë së konkursit Miss England pasi zgjodhi të shfaqej krejtësisht natyrale, pa grim, gjatë garës për kurorën.
Në moshën 20-vjeçare, finalistja nga jugu i Londrës arriti deri në gjysmëfinale duke konkurruar me fytyrën e saj natyrale, një zgjedhje që mori vëmendje të madhe dhe hapi diskutime mbi standardet e bukurisë.
Për Raouf, vendimi nuk ishte thjesht një zgjedhje estetike. Ajo dëshironte të përcillte një mesazh për vajzat dhe gratë që shpesh ndihen të detyruara të përdorin grim për t’iu përshtatur një imazhi të caktuar.
“Shumë vajza të moshave të ndryshme përdorin grim sepse ndihen nën presion për ta bërë këtë”, kishte deklaruar ajo për The Independent.
Sipas saj, bukuria nuk duhet të lidhet me nevojën për të fshehur atë që konsiderojmë si “papërsosmëri”. Raouf ka theksuar se secili duhet të ndihet i lirë të tregojë pamjen e tij natyrale dhe të pranojë tiparet që e bëjnë unik.
Rasti i saj u bë edhe më domethënës për faktin se Miss England kishte krijuar që në vitin 2019 kategorinë “Bare Face Top Model”. Kjo kategori synonte t’u jepte konkurrenteve mundësinë të prezantoheshin pa grim të rëndë dhe pa filtrat që shpesh përdoren në fotografitë e aplikimeve.
Vendimi i Raouf u përshëndet edhe nga drejtuesit e konkursit. Drejtoresha Angie Beasley e cilësoi zgjedhjen e saj si një hap të guximshëm dhe një mesazh me rëndësi për brezat e rinj.
Në një konkurs ku pamja është në qendër të vëmendjes, Melisa Raouf zgjodhi të tregojë pikërisht atë që zakonisht përpiqemi ta fshehim: fytyrën natyrale./mxh
