Varri i Amenhotepit III, “Mbretit Diell” të Egjiptit të lashtë, rihapet pas njëzet vitesh restaurimi. Ja si dukej vendi i fundit plot ngjyra i prehjes së faraonit.
Pas më shumë se njëzet vitesh restaurimi, varri i Amenhotep III (rreth viteve 1400/1390 p.e.s.–rreth vitit 1350 p.e.s.), një nga faraonët më të fuqishëm dhe më të rafinuar të Dinastisë së 18-të, më në fund është rihapur për publikun. Varri, i gdhendur në shkëmb në Luxor, kishte mbetur i mbyllur për dekada. Sot, falë një projekti të gjatë restaurimi të udhëhequr nga një mision japonez, ai është përsëri i shkëlqyer, siç raportohet në një artikull të botuar në Phys.org.
Kush ishte “mbreti diell” i Egjiptit?
Amenhotepi III, i mbiquajtur Madhështori, mbretëroi midis viteve 1390 dhe 1350 para Krishtit , gjatë një periudhe prosperiteti dhe shkëlqimi artistik të paparë. Ai u ngjit në fron si adoleshent dhe sundoi për gati dyzet vjet, i rrethuar nga artistë dhe shkrues. Oborri i tij, në kryeqytetin Tebë, ishte një nga më të shkëlqyerit në botën e lashtë. Gruaja e tij, Mbretëresha Tiye , luajti një rol politik të paparë për kohën: këshilltare, aleate dhe nënë e Akhenatenit të ardhshëm, faraonit që prezantoi kultin e perëndisë Aten.
Varr i përdhosur
zbuluar në vitin 1799 , varri i Amenhotep III hapet me një korridor të gjatë zbritës, 36 metra të gjatë, që të çon në një dhomë 14 metra të thellë. Prej andej degëzohet dhoma e varrimit të faraonit dhe dy dhoma më të vogla të dedikuara grave të tij. Objektet origjinale të funeralit u plaçkitën kryesisht, përfshirë sarkofagun. Por dekorimet që kanë mbijetuar , tani të restauruara, e tregojnë mbretin përkrah perëndive egjiptiane dhe teksteve nga Libri i të Vdekurve , koleksioni i formulave për të udhëhequr shpirtin në jetën e përtejme .
Amenophis IIII – Restaurimi
Vizitorët e parë në varrin e Amenhotep III, i rihapur për publikun pas 3,400 vjetësh. © Getty Images
Një varr teknikolor. Restaurimi përfshinte arkitektë, kimistë dhe restaurues nga Instituti i Egjiptologjisë i Universitetit Waseda . Pikturat u pastruan, pigmentet u stabilizuan dhe frakturat e shkëmbit u vulosën.
Nga ky restaurim ka dalë në pah një gamë e mrekullueshme ngjyrash: e verdha, e kuqja dhe bluja evokojnë edhe një herë dritën e diellit aq të dashur në kultin diellor të Amenhotepit.
Trupi i faraonit. Mumja e sundimtarit nuk është më në varrin e saj origjinal. Për ta mbrojtur nga grabitësit e varreve, priftërinjtë e lashtë e transferuan atë në varrin e Amenhotepit II (gjyshit të sundimtarit). Sot ajo ekspozohet në Muzeun Kombëtar të Qytetërimit Egjiptian në Kajro , së bashku me ato të 16 mbretërve dhe mbretëreshave të tjera të Mbretërisë së Re.
Rihapja e varrit vjen vetëm disa javë pas inaugurimit të Muzeut të Ri Egjiptian në Giza, një kolos arkitekturor që synon të strehojë mbi 100,000 objekte, përfshirë të gjithë thesarin e Tutankhamunit.
Burimi: focus.it/ nga Paola Panigas/ Përgatiti për botim: L.Veizi
