Last Updated on 26/11/2025 by EL
Reshjet intensive të shiut duket se do të rikthehen edhe në pjesën e mbetur të javës.
Sipas një parashikimi nga IGJEUM, situata me motin mund të përbëjë rrezik për përmbytje në disa zona të vendit.
Parashikohet se në qarqet: Dibër, Elbasan, Korçë, Vlorë dhe Gjirokastër, mund të ketë vërshime të shpejta të lumenjve të vegjël malorë, si edhe rrëshqitje dherash.
Reshjet:
Sot pasdite (e mërkurë, datë 26 nëntor) dhe nesër (e enjte, datë 27 nëntor) priten reshje intensive në qarqet Vlorë dhe Gjirokastër, mesatare deri lokalisht intensive në qarqet Dibër, Elbasan dhe Korçë, ndërsa në qarqet e tjera priten reshje mesatare. Reshjet në të gjitha qarqet pritet të shoqërohen me shtrëngata (siç tregohet në tabelë, respektivisht për secilin qark).
Në veri dhe lindje në lartësitë mbi 800 m nga niveli i detit reshjet do të jenë në formë dëbore.
Temperatura:
Nesër temperaturat minimale dhe maksimale të ajrit pritet të arrijnë:
Në bregdet: 12 / 15 °c
Në vendet e ulëta: 8 / 15 °c
Në vendet malore: 3 / 9 °c
Era:
Sot pasdite dhe nesër, era pritet të fryjë mesatare deri e fortë kryesisht në bregdet dhe ne zonat malore.

