Last Updated on 26/10/2026 by Klara
Protestat e dhunshme që kanë përfshirë kryeqytetin prej gati dy javësh u shoqëruan me anulim shfaqjesh apo zhvendosje të datave të tyre, duke sjellë thuajse paralizim të jetës kulturore në kryeqytet. Megjithatë ngjan se gjatë kësaj jave disa institucione do të fillojnë shfaqjet e tyre.
Në Teatrin Kombëtar më 28, 29, 30, 31 tetor e 1 nëntor do të vijë në sezonin e dytë “Otello” me pesë shfaqje. Vepra e William Shakespeare vjen nën regjinë e Qëndrim Rijanit.
Në Teatrin Kombëtar Eksperimental më 29, 30 e 31 nëntor do të shfaqet “1984” nga George Orëell. Shfaqja me dramatizim nga Jeton Neziraj e regji nga Dino Mustafić vjen si bashkëprodhim i Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” dhe Teatrit Migjeni.
Uinston Smith punon në Ministrinë e së Vërtetës, ku rishkruan me kujdes historinë. Por Uinston ëndërron për lirinë dhe për rebelimin. Në punë, ai bie në dashuri me Xhulian dhe nis me të një lidhje të fshehtë, por në këtë botë asgjë nuk mund të mbahet sekret. Ata do të detyrohen të përballen me pasoja shumë më të tmerrshme nga sa mund të kishin imagjinuar ndonjëherë.
Interpretojnë: Ema Andrea, Rafael Hoxhaj, Eva Gjika, Jozef Shiroka, Adriana Tolka, Nikolin Ferketa.
Ndërkohë, më 31 tetor e 1 nëntor paradite do të kthehen edhe shfaqjet për fëmijët. Në skenë do të vijë “Kush i shpiku rregullat?” me regji nga Semela Skënderasi.
Ndërsa në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit nuk ka asnjë shfaqje apo koncert të paralajmëruar dhe koncerti i violinistit të mirënjohur Tedi Papavrami dhe pianistes Hélène Mercier i planifikuar më 27 tetor nuk do të zhvillohet në datën e parashikuar, por do të riprogramohet për një datë të mëvonshme, e cila do të komunikohet në vijim.
Në teatrin “Metropol” dhe në Teatrin e Kukullave nuk ka ende asnjë shfaqje të programuar deri më tani.
Një aktivitet me rëndësi që po mbahet këto ditë në Durrës është uorkshopi për shkrimin e skenarëve, “eQuinixe Europe”, platforma prestigjioze e zhvillimit të skenarëve që vjen për herë të parë në Shqipëri.
29 profesionistë të industrisë së filmit bëhen së bashku për një javë, në edicionin e 31-të të “eQuinoxe Europe” në Durrës. Skenaristë dhe producentë me projekte të përzgjedhura nga e gjithë bota do të punojnë me 8 mentorë skenari për t’i zhvilluar më tej projektet e tyre, për t’i çuar drejt realizimit. Mes tyre janë edhe dy projekte të krijuesve shqiptarë, Redi Treni dhe Erenik Beqiri./k.m
