Këngëtarja shqiptare, Rita Ora ka zgjedhur një personazh legjendar për të festuar Halloween-in e këtij viti. Ajo është shndërruar në ikonën e muzikës country, Dolly Parton, duke tërhequr vëmendjen me një paraqitje që rikrijonte stilin karakteristik të artistes së njohur.
Të premten, më 30 tetor, Rita Ora mori pjesë në një festë të organizuar në New York, ku u shfaq me një veshje të frymëzuar nga Dolly Parton. Këngëtarja kishte zgjedhur një këmishë të lidhur në pjesën e përparme, duke lënë të ekspozuar barkun, pantallona xhins, një rrip të kuq dhe këpucë me taka në të njëjtën ngjyrë.
Pamjen e kishte plotësuar me një çantë të zezë, byzylykë të mëdhenj argjendi dhe vathë shumëngjyrësh. Vëmendje të veçantë mori edhe modeli i flokëve biondë, një prej tipareve më karakteristike të Dolly Parton, të cilin Rita e rikrijoi përmes një parukeje. Për të kompletuar transformimin, ajo kishte zgjedhur edhe një grim me hije sysh në ngjyrë blu të hapur.
Përmes këtij kostumi, Rita Ora i bëri homazh artistes legjendare, duke zgjedhur ta nderonte në mënyrën e saj përmes një prej personazheve më ikonike të muzikës country./mxh
