Modelja gjermane Heidi Klum ka surprizuar edhe këtë vit me kostumin e saj të Halloween-it, duke u shfaqur në festën tradicionale që organizon çdo vit në Nju Jork si një dorë gjigante, e përgjakur dhe me pamjen e dorës së saj të majtë.
Kostumi ishte një kopje e zmadhuar e dorës së vetë modeles, e realizuar me ndihmën e teknologjisë së skanimit të trupit. Madje, në të ishin riprodhuar edhe unaza e fejesës, unaza e martesës dhe tatuazhi me emrin e bashkëshortit të saj, Tom Kaulitz.
Ideja për këtë transformim i kishte lindur që vitin e kaluar. “Pashë dorën time dhe mendova: Hej, besoj se mund ta fus trupin tim brenda saj në njëfarë mënyre”, tregoi Klum për Associated Press.
Pas këtij transformimi qëndronte sërish artisti i grimit dhe efekteve speciale Mike Marino, i cili prej vitesh realizon disa nga kostumet më të pazakonta të modeles.
Një festë familjare, por pa bashkëshortin
Tom Kaulitz, i cili prej vitesh është pjesë e pandashme e festave të Halloween-it të Klum, këtë herë mungoi për shkak të një koncerti në Gjermani. Në edicionet e mëparshme, çifti është shfaqur me kostume që plotësonin njëri-tjetrin, mes tyre si një vezë dhe një pallua, një peshkatar dhe një krimb gjigant, si dhe dy personazhe të gurëzuara nga bota e Meduzës.
“Sigurisht që do të kisha dashur të mbaja për dore Tomin, por nuk mund të jesh në dy vende njëkohësisht”, u shpreh modelja për revistën Bunte.
Vajza e saj, Leni Klum, mori pjesë në festë e maskuar si Miss Piggy, me veshë derrkuci, qerpikë të mëdhenj dhe një boa me pupla ngjyrë vjollcë. Mes të ftuarve ishin edhe aktorët Kyle MacLachlan dhe Neil Patrick Harris, ky i fundit i shoqëruar nga bashkëshorti David Burtka, me të cilin u shfaqën si një dyshe binjakesh të frikshme.
Një natë para festës, Heidi Klum kishte organizuar gjithashtu një pritje për një grup të vogël të ftuarish në picerinë e saj në lagjen Soho të Nju Jorkut. Këtë herë, ajo u shfaq pa dorën gjigante, e veshur me një fustan portokalli dhe çizme të zeza.
E cilësuar prej vitesh si “Mbretëresha e Halloween-it”, Klum ka mahnitur publikun me transformime të jashtëzakonshme, duke u shfaqur në të kaluarën si E.T. dhe Fiona nga filmi i animuar “Shrek”. Duket se modelja nuk ka ndërmend të heqë dorë nga ky titull.
