Odise Roshi po përjeton një rini të dytë në Turqi, tek Ankara Keciorengucu.
“Raketa” shqiptare ka veshur petkun e heroit në transfertën delikate ndaj Sivasspor, duke shënuar golin që vulosi fitoren minimale 0-1.
34-vjeçari shfaqi nuhatje sulmuesi, duke lëvizur bukur në zonë dhe duke mposhtur portierin kundërshtar me një goditje të fuqishme me të djathtën.
Kjo sfidë kishte edhe një “shije” kuqezi, pasi përballë ishte Rey Manaj. Megjithatë, ndryshe nga javët e fundit ku ka qenë protagonist absolut, Manaj këtë herë nuk arriti të gjente rrugën e rrjetës, duke mbetur në hijen e veteranit Roshi.
Për fierakun, ky ishte goli i dytë radhazi në kampionat dhe i gjashti në total për këtë sezon, shifra që po mbajnë gjallë ëndrrën e Keciorengucu për një vend në zonën “Play-Off” që dërgon në elitën e futbollit turk./mxh
