Last Updated on 07/07/2026 by EL
Mamaja e vajzës së dhunuar, ka rrëfyer ngjarjen e rëndë për mikrofonin e Report Tv. Ditën e 8 qershorit, ajo e priste të bijën të vinte në shtëpi pas kursit të parukerisë, por një telefonatë e informoi se ajo ndodhej në spital dhe se nuk ishte mirë.
Pasi 17-vjeçarja ishte dhunuar brutalisht nga 3 vajza të tjera, kishte shkuar e vetme në spital për të bërë serum. E ëma shkoi për ta marrë dhe e pa me shenja dhune në fytyrë. Fillimisht ajo nuk pranoi të tregonte, por më pas pranë nënës së saj rrëfeu se ç’kishte ngjarë.
Pjesë nga intervista
Më merr burri dhe më thotë: “Goca ishte sëmurë.” Hajde, thashë, ndoshta ka kaluar diçka, si gjithë moshatarët. Shkoj për të marrë gocën, se nuk doja që të priste autobusin. Goca më vjen me vrap, e tmerruar. E shoh me serumin në dorë. I them: “Çfarë ke, moj të keqen mami? Pse je vrarë? Kush të ka vrarë?” “Hiç, asgjë”, tha. “Thjesht bëra një serum dhe nga që isha vetëm në spital, u çorra.”
“Po ti ke syrin të nxirë, moj bijë”, i thashë. “Ti ke mjekrën të nxirë”, i thashë. “Flokët e tu pse më duken kështu?”, i thashë.
….tha se gjoja i kishin hapur nga këto rrjetet sociale. Pastaj më tregon: “Më dhunuan 3 goca.”
“Pse moj bijë? Unë të çova për në kurs, të prisja të vije në shtëpi. Mos ndoshta i ke ngacmuar gocat?”, i thashë.
“Jo moj mami”, tha, “se nuk kam asgjë me gocat. Thjesht më thanë: ‘Hajde me mua se kemi një surprizë’.”
Thjesht shoqe rastësisht. Më duket ishte takuar një herë, dy herë mos gaboj. Ato i kishin dalë para pasi kishte dalë goca nga kursi.
“Çfarë ke moj gocë? Ç’është kjo jotja kështu?”
Aty u mërzit goca. Ishte ora 6 e pasdites. I thashë: “Të ka ndodhur diçka. Mamin e ke pranë.” Filloi të qante e të dridhej.
Me lot në sy dhe e rrënuar pasi ka parë të bijën duke u rrahur pa mëshirë nga bashkëmoshatare të saj, u nisën për të bërë denoncimin në polici. Ajo tregon se vajza e saj është e traumatizuar, refuzon të ushqehet, qan e dridhet e vijon të jetë e frikësuar.
“Kur pashë vajzën time të dhunuar, nuk më mbante vendi më. Ndoshta dhe ato nëna nuk dinë gjë, por çdo kush ta kthejë thikën nga ana e tij. Sepse unë atë fëmijë mezi e kam rritur, e ushqej me pikat e qumështit. Ngrihet burri, ikën në orën 4 të mëngjesit në punë e të më dhunojnë mua vajzën? Nëse unë fëmijën e kam të sëmurë, unë do shkoj ta kuroj. Vajza ime nuk ngatërrohet me njeri. Është e thjeshtë, sheh punën e saj. Unë s’di gjë si ka ndodhur ky dhunim. Ndoshta mund të ketë qenë ndonjë presion më parë”, tha ajo.
Pjesë nga intervista:
-Mami i njërës nga vajzat ka kërkuar falje…
E di, por unë nuk mund të fal, se shpirti im e di sesa po e vuaj. Iki e qaj fshehurazi. Nuk qaj në sy të vajzave.
Kam një muaj që nuk fle gjumë. Goca ime po dhunohet kështu? Goca ime po ulëret? Po kërkon ndihmë, o ma? Kjo gocë po më kërkon mua ndihmë dhe nuk jam pranë saj.
Të njëjtën gjë do kishin bërë edhe ato nëna. Kap dy veta për flokësh dhe shqit. Çfarë bëri vajza ime? Ishte një kriminele?/et
