Më 10 korrik 2024, Jontay Porter, ish-lojtar i Memphis dhe Toronto Raptors, u deklarua fajtor para një gjykate federale në Brooklyn të Nju Jorkut, për komplot me qëllim mashtrimin përmes komunikimeve elektronike.
Ky ishte skandali i parë i madh i basteve që tronditi NBA-në që nga viti 2018, kur Gjykata e Lartë e Shteteve të Bashkuara hapi rrugën për legalizimin e basteve sportive në shtete të veçanta. Tre muaj më herët, NBA e kishte përjashtuar Porterin përgjithmonë nga liga. Më shumë se dy vjet pas ngjarjes, Porter ka rrëfyer për “The New Yorker” detaje personale të historisë së tij: mashtrime, lidhje me botën e krimit, miliona dollarë të vëna në baste për pingpongun rus dhe një shumë marramendëse prej gjysmë miliardi dollarësh të luajtur në total.
FILLIMI
Gjatë dy sezoneve te Memphis, Porter kishte luajtur shumë pak, i penguar nga problemet me shpinën dhe gjurin. Marrëdhënia e tij me lojërat e fatit kishte nisur përmes platformave “online”: fillimisht kriptomonedhat, më pas aksionet e blera dhe shitura përmes platformës “Robinhood”, derisa kaloi te kazinotë “online”. Në fillim, ai i kishte shmangur bastet sportive.
Si lojtar i NBA-së, i dukej e papranueshme të vinte baste për ndeshje, madje edhe për sporte të tjera. Gjithçka ndryshoi në vitin 2021, kur mbeti jashtë ligës. Në shtator, ndërsa po ndiqte një ndeshje të NFLsë me miqtë, vendosi 125 mijë dollarë në fitoren e Kansas City Chiefs kundër Baltimore Ravens, duke i humbur. Por ai nuk ishte i vetmi bast i asaj fundjave. Porter kishte vendosur edhe 143 baste të tjera, me një vlerë totale që kalonte një milion dollarë.
VARËSIA
Pasi nis, gjithçka shndërrohet në një spirale pa fund: hipoteka mbi shtëpinë me vlerë gjysmë milioni dollarë, një milion dollarë të fituar nga bastet për pingpongun rus, të cilat i kishte ndjekur për gati tri ditë rresht (“E gjithë jeta jote varet nga sa mirë e kryen shërbimin ai lojtar”), borxhe të reja, hua dhe humbje të vazhdueshme.
Një natë, duke luajtur “blackjack”, arrin t’i kthejë 20 mijë dollarë në një milion. Nis procedurën për tërheqjen e parave, por nuk arrin të ndalet. “Zgjohem dhe mendoj: duhet të vazhdoj”. I humbet të gjitha. “Besoj se bëhesh i varur nga emocioni i pritjes, nga ai moment kur ende nuk e di nëse do të fitosh apo do të humbasësh”, rrëfen Porter.
Të heqësh dorë duket e pamundur. “Një mbrëmje e fshiva aplikacionin dhe pezullova llogarinë. Të nesërmen në mëngjes u zgjova i zemëruar dhe u ktheva për t’u hakmarrë”, tregon 26-vjeçari. Kur NBA i ofron një mundësi të dytë për t’u rikthyer në parket, basketbolli bëhet jo vetëm shansi për të rifilluar karrierën, por edhe e vetmja rrugë që ai sheh për të shlyer borxhet e marra nga njerëzit e gabuar.
FUNDI
Porter nis t’u shesë bastexhinjve informacion mbi paraqitjet dhe statistikat e tij në ndeshje, duke u mundësuar atyre të përfitojnë nga bastet e vendosura mbi performancën e tij. Një fluks i pazakontë bastesh ngre dyshime, nis hetimin dhe shemb të gjithë skemën. Zbulimi i mashtrimit do të rezultonte, në njëfarë mënyre, edhe si një çlirim për të.
Por, përpara kësaj, do të vinte periudha më e errët e jetës së tij. Pas përjashtimit të përjetshëm nga NBA, bashkëshortja e tij, Kelli, nis të mendojë për divorcin. Porter kërkon në “Google” nëse njerëzit që kryejnë vetëvrasje mund të shkojnë gjithsesi në parajsë. Më pas blen një armë. “Një herë e drejtova armën nga koka. Po qaja dhe përsërisja: Nuk mundem më.
Nuk besoj se bashkëshortja ime e di këtë”, vijon rrëfimin tronditës. Ajo që e ndaloi ishte mendimi për djalin që pritej të vinte në jetë: “Nuk mund të largohesha nga kjo botë pa e njohur më parë”. Më 10 korrik 2024, Porter u deklarua fajtor para një gjykate federale në Brooklyn. Sot, ai është ende në pritje të vendimit gjyqësor, rrezikon burgimin dhe ndjek një program terapie.
Në sfondin e historisë personale të Porter qëndron një industri bastesh gjithnjë e më e ndërthurur me sportin profesionist. Platformat funksionojnë sipas të njëjtit parim si rrjetet sociale: janë projektuar për t’i mbajtur përdoruesit sa më gjatë të mbërthyer pas ekranit. Ndërkohë, ligat sportive shesin statistika dhe të dhëna që krijojnë gjithnjë e më shumë mundësi për vendosjen e basteve. Sipas të dhënave të raportuara nga “The New Yorker”, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pothuajse gjysma e meshkujve nën moshën 50 vjeç kanë një llogari në platformat e basteve sportive./k.m
