Situata në Qarkun Gjirokastër mbetet problematike, për shkak të përmbytjeve dhe rrëshqitjeve të dherave që kanë prekur disa bashki dhe fshatra gjatë natës dhe mëngjesit të 11 janarit 2026. Në Bashkinë Gjirokastër, aksin rrugor Gjirokastër–Tepelenë, në kilometër 17, po punohet nga kontraktori për përforcimin e argjinaturës së lumit Drino, ndërsa rruga e Qafës së Çajupit vazhdon të jetë e bllokuar dhe punimet për hapjen e saj janë në vijim. Rruga e Dhoksatit në njësinë Lunxhëri mund të kalohet vetëm me fuoristrada, ndërsa në qytetin e Gjirokastrës ekipet e emergjencës punojnë për normalizimin e plotë të situatës. Mbi fshatin Mingul, një rrëshqitje masive e një kodre paraqet rrezik për banesat përreth, dhe po mbahet nën monitorim të vazhdueshëm nga strukturat përgjegjëse.
Në Bashkinë Libohovë, rrugët hyrëse të fshatrave Zhej, Lliar dhe Topovë janë ende të bllokuara për shkak të rrëshqitjeve të dherave, ndërsa terreni i vështirë ka bërë të domosdoshme përdorimin e një fadrome me zixhirë për pastrimin dhe hapjen e rrugëve. Në Bashkinë Memaliaj, disa rrugë të brendshme mbeten të bllokuara, duke izoluar rreth pesë banesa, ndërsa në fshatin Tosk-Martalloz rrëshqitjet e dherave rrezikojnë një banesë dhe ndërhyrja e mjeteve për momentin është e pamundur për shkak të terrenit të vështirë. Në fshatin Levan, përsëritja e rrëshqitjeve ka bërë të domosdoshme pritjen e raportit nga specialistët gjeologë për ndërhyrje të mëtejshme.
Në Bashkinë Përmet, rruga nga Frashëri deri në Kokojkë është hapur, duke përfshirë fshatrat Pagri, Borockë, Kreshovë, Soropull dhe Odrican, por puna për pastrimin e dherave do të vazhdojë gjatë ditës. Dy familje të evakuara nga lagjia Sede janë rikthyer në banesat e tyre, ndërsa strukturat e Bashkisë vijojnë pastrimin dhe vlerësimin e dëmeve nga rrëshqitjet. Në Bashkinë Këlcyrë, tre banesa në fshatin Malëshovë rrezikohen nga rrëshqitja e dherave dhe banorët, shtatë persona në total, janë evakuuar dhe strehuar tek të afërmit. Rruga në fshatin Luar mbetet e bllokuar nga dheu.
Në Bashkinë Tepelenë situata paraqitet përgjithësisht e kontrolluar, megjithëse rruga në fshatin Dhëmblan është e kalueshme me vështirësi për shkak të inerteve, dhe në aksin Tepelenë–Gjirokastër pranë zonës së Shkallës së Zezë puna për pastrimin vazhdon, me qarkullim që vijon vetëm me një korsi. Gjatë gjithë ditës, OSHEE raporton se furnizimi me energji elektrike në të gjithë qarkun funksionon normalisht.
Sa i përket lumenjve, niveli i lumit Vjosë në Memaliaj është 4.7 metra, ndërsa në Përmet niveli i ujit është 4 metra, duke treguar një rrezik të vazhdueshëm për përmbytje të tokave bujqësore dhe zonave pranë shtratit të lumit. Strukturat e emergjencës dhe hidrovoret po monitorojnë situatën në terren dhe janë në gatishmëri për ndërhyrje të menjëhershme në rast nevoje. Banorët këshillohen të shmangin lëvizjet pranë lumenjve, të ndjekin udhëzimet e autoriteteve dhe të marrin masa të menjëhershme për sigurinë e familjeve dhe pronave të tyre./KM
