Yield-et e obligacioneve 10-vjeçare pësuan përsëri rënie në ankandin e kësaj jave dhe iu afruan nivelit më të ulët në historinë e tyre.
Sipas informacionit të Bankës së Shqipërisë, në rihapjen e ankandit të obligacioneve 10-vjeçare, yield-i uniform i pranuar ra në 4.72%, nga 5.15% që kishte qenë yield-i në ankandin e fundit të këtyre instrumenteve, të zhvilluar në janar të këtij viti.
Yield-i i këtyre instrumenteve i është shumë afër nivelit minimal historik prej 4.7%, që ishte regjistruar një vit më parë.
Edhe ankandi i obligacioneve 10-vjeçare u karakterizua nga një pjesëmarrje e lartë e investitorëve të interesuar. Nga 3.5 miliardë lekë që kishte qenë shuma e shpallur për financim nga Ministria e Financave, vlera totale e kërkesave arriti në rreth 5.27 miliardë lekë. Ministria e Financave vendosi të rrisë shumën e emetimit me afërsisht 10%, brenda intervalit të lejuar nga rregullorja e ankandit, për një shumë totale prej 3.85 miliardë lekësh.
Një ecuri të ngjashme po shfaqin edhe instrumentet e tjerë të borxhit qeveritar. Në fillim të kësaj jave, në rihapjen e ankandit të obligacioneve 20-vjeçare, yield-i uniform i pranuar ra në 6.2%, nga 6.72% që kishte qenë yield-i në ankandin e fundit të këtyre instrumenteve, të zhvilluar në janar të këtij viti.
Edhe në tremujorin e parë të këtij viti, tregu i bonove dhe obligacioneve po karakterizohet nga likuiditet i bollshëm dhe kërkesë e lartë nga investitorët. Kjo kërkesë po i shtyn akoma më shumë në ulje yield-et e titujve dhe po ul çmimin e huamarrjes së qeverisë në tregun e brendshëm financiar. As përqendrimi relativisht i lartë i huamarrjes së qeverisë në tremujorin e parë të vitit nuk ka qenë i mjaftueshëm për të zhvendosur në rritje yield-et.
Sipas kalendarit të emetimeve të Ministrisë së Financave, huamarrja e planifikuar vlerësohet të vlerën e 134 miliardë lekëve, në rritje me 1.1% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Kjo shumë përbën rreth 35% e vlerës totale vjetore të emetimeve të parashikuara.
Edhe tremujori i parë i këtij viti po konfirmon tendencat në rënie të yield-eve. Kjo përcakton jo vetëm koston e borxhit të qeverisë, por është një referencë edhe për kosto e huamarrjes së sektorit privat. Normat e ulëta të interesit po mbështesin kreditimin me ritme të shpejta të ekonomisë, sidomos në segmentin e familjeve.
Tensionet gjeopolitike dhe rritja e çmimit të naftës kanë shtuar rreziqet e një skenari me rritje të inflacionit gjatë këtij viti, por, për momentin, tregu i brendshëm nuk po e reflekton një shqetësim të tillë në çmimin e kërkuar për të financuar borxhin afatgjatë të qeverisë./Marrë nga Monitor.al/kb
Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të Fjala.al. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e FJALA.al, është shkelje e të drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi.
FJALA MEDIA GROUP NUIS/NIPT : L92423005H
Subscribe to Updates
Get the latest creative news from FooBar about art, design and business.