Paga minimale do të rritet me 10 mijë lekë në muajin janar. Prej vitit të ardhshëm asnjë punonjës si në shtet ashtu edhe në privat nuk duhet të ketë pagë më të ulët se 50 mijë lekë në muaj.
Aktualisht në vend, gati 35% e të punësuarve paguhen deri në vlerën 50 mijë lekë në muaj, dhe praktikisht e gjithë kjo kategori përfiton. Janë më shumë se 300 mijë përfitues të rritjes së pagës minimale, dhe që janë të përjashtuar edhe nga tatimi mbi pagat.
Për të shmangur rritjen e kostove për sipërmarrjen private e cila është e detyruar që prej 1 janarit të vitit të ardhshëm të zbatojë pagën e re minimale, qeveria do të paguaj kontributet për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore me një kosto prej 10 milionë euro.
Pavarësisht kësaj rritje, që është e cila do të jetë e 6-ta nën drejtimin e socialistëve, ajo nuk do të jetë e fundit. Deri në 2029-ën qeveria ka premtuar rritje të pagës deri në 70 mijë lekë në muaj.
Kjo rritje e rrogës minimale gjykojnë ekspertët bëhet për të amortizuar kostot e inflacionit ndër vite, si dhe për të mbajtur fuqinë punëtore në vend, pasi prej vitesh tashmë vendi vuan për punonjës. Aktualisht janë 6 mijë vende të lira pune të shpallura nga bizneset për profesione nga elementaret deri tek ato më të kualifikuara. m.p.
