Last Updated on 18/09/2026 by EL
Me një ofertë prej 765.5 mln lekë, Autoriteti Rrugor Shqiptar ka shpallur fituesin e tenderit për rikonstruksionin e lotit 2 të rrugës së vjetër Kombinat – Ndroq – Plepa. Fituese është shpallur kompania “Albavia”, teksa vlera e ofertuar është rreth 35% më e ulët se fondi limit.
Segmenti ka një gjatësi prej rreth 4.9 km, ndërsa afati i parashikuar për zbatimin e kontratës është 24 muaj. Ndërkohë, për të njëjtin aks është në zhvillim edhe procedura e tenderimit për lotin 3, me fond limit rreth 1.36 mld lekë dhe gjatësi rreth 4.35 km.
Në fazë më ta avancuar për rikonstruksionin e këtij aksi rrugor është loti 1, ku punimet nisën në fund të vitit 2024. Kontrata për këtë fazë është nënshkruar me bashkimin e operatorëve “Arifaj” dhe “Eurokos Holding”, me vlerë rreth 567.8 mln lekë, pa TVSH.
Rruga Kombinat – Ndroq – Plepa, me një gjatësi totale prej rreth 28 km, konsiderohet një aks alternativ i rëndësishëm që lidh kryeqytetin me Durrësin dhe zonat jugore të vendit. Sipas dokumentacionit të projektit, segmenti përshkon zona me densitet të lartë banimi dhe ka pësuar amortizim të konsiderueshëm ndër vite, çka ka ndikuar në uljen e parametrave të sigurisë dhe të qarkullimit. Përmes rikonstruksionit synohet përmirësimi i infrastrukturës, rritja e sigurisë rrugore dhe lehtësimi i lëvizjes për banorët dhe automjetet që përdorin këtë aks./et
