Autoriteti Rrugor Shqiptar ka ndarë sot një paralajmërim për qytetarët që ndotin rrugët e vendit.
Sipas ARRSH-së, bëhet fjalë për hedhje të shisheve, qeseve apo mbetjeve të tjera nga automjeti, paavrësisht se ky akt përbën shkelje të ligjit.
Në vijim, ARRSH thekson se në ditët në vijim do të intensifikohen kontrollet në rrugët e vendit dhe me identifikimin e automjetit dhe shoferit që bën shkelje, do të zbatohet edhe vendosja e masës ndëshkimore deri në 200,000 lekë.
Njoftimi i plotë:
Rrugët e Shqipërisë nuk janë kosh plehrash.
Në një kohë kur mijëra qytetarë dhe turistë udhëtojnë çdo ditë nëpër vend, nuk do të tolerohet më asnjë akt papërgjegjshmërie nga ata që hedhin mbetje nga automjetet apo i braktisin në hapësirat përgjatë rrugëve.
Ekipet e mirëmbajtjes së ARRSH janë çdo ditë në terren për pastrimin dhe mirëmbajtjen e rrjetit rrugor. Por puna e tyre nuk mund të kthehet në një cikël të pafund pastrimi për shkak të individëve që zgjedhin të ndotin.
Hedhja e një shisheje, qeseje apo çdo mbetjeje tjetër nga automjeti është SHKELJE E LIGJIT.
Sipas Ligjit nr. 57/2025, datë 16.10.2025, “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, shkelësit dënohen me GJOBË NGA 65,000 DERI NË 200,000 LEKË.
Neni 76/a + Neni 77/2
NGA PARALAJMËRIMI TEK NDËSHKIMI.
Në ditët në vijim, ARRSH, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, do të intensifikojë kontrollin përmes kamerave inteligjente përgjatë rrjetit rrugor, me qëllim identifikimin e rasteve të hedhjes së mbetjeve nga automjetet.
Automjeti dhe shkelësi do të identifikohen. Shkelja do të dokumentohet. Masa ndëshkuese do të zbatohet.
Nuk ka justifikime.
Nuk ka “vetëm një shishe”.
Nuk ka “nuk më pa njeri”.
Nuk ka tolerim.
RRUGËT JANË PASURI PUBLIKE. PASTËRTIA ËSHTË PËRGJEGJËSI E ÇDO QYTETARI.
Mos e hidh mbetjen nga dritarja.
Mbaje në automjet. Hidheni në vendin e përcaktuar.
KUSH NDOT, PAGUAN.
ZERO TOLERANCË NDAJ NDOTJES./mxh
