Kriza politike në Rumani po vazhdon pasi parlamenti ka refuzuar t’i japë votëbesimin Siegfried Mureshanit për formimin e qeverisë së re. Mureshan, deputet i Parlamentit Evropian, ishte propozuar për kryeministër nga presidenti i pavarur, Nicushor Dan.
Ky është rasti i dytë që deputetët refuzojnë kandidatin e propozuar nga presidenti, duke e thelluar krizën politike që vazhdon që nga rënia e koalicionit qeverisës në maj.
Meqë parlamenti e ka refuzuar për herë të dytë kandidatin për kryeministër, Kushtetuta rumune tashmë lejon mundësinë e shpalljes së zgjedhjeve të parakohshme, raporton politico.
Megjithatë, presidenti Dan dëshiron ta shmangë këtë skenar. Ai kundërshton shpërndarjen e parlamentit dhe zgjedhjet e reja, pasi sondazhet sugjerojnë se ato mund të forcojnë Aleancën për Bashkimin e Rumunëve (AUR).
Në vend të zgjedhjeve, Dan u ka bërë thirrje liderëve politikë që t’i tejkalojnë mosmarrëveshjet dhe të arrijnë marrëveshje për formimin e një koalicioni të ri qeverisës.
“Politikanët duhet t’u drejtohen njerëzve që u kanë dhënë mandatin”, tha Dan gjatë një vizite zyrtare në Çeki, para votimit.
Ai shtoi se, duke pasur parasysh se shumica e rumunëve kërkon që kriza të përfundojë, ekziston mundësia që partitë politike të arrijnë një marrëveshje./mxh
