Autoriteti rus për mbikëqyrjen financiare, “Rosfinmonitoring”, e ka shtuar themeluesin e aplikacionit “Telegram”, Pavel Durov, në listën zyrtare të personave të shpallur terroristë dhe ekstremistë.
Emri i sipërmarrësit rus tashmë figuron në regjistrin zyrtar së bashku me persona të tjerë të akuzuar.
“Rosfinmonitoring” është kritikuar prej kohësh se ndihmon Kremlinin në goditjen e kundërshtarëve politikë dhe disidentëve.
Një ditë më parë, Shërbimi Federal i Sigurisë i Rusisë (FSB) akuzoi Durovin për ndihmë dhe mbështetje të terrorizmit dhe njoftoi se do të lëshonte një urdhër arresti ndaj tij.
Sipas FSB-së, shërbimet sekrete ukrainase kanë përdorur “Telegramin” për të kontaktuar qytetarë rusë, të cilët më pas dyshohet se kanë kryer akte sabotimi, sulme dhe vepra të tjera penale.
Autoritetet ruse thonë se disa të dyshuar janë arrestuar dhe dëshmitë e tyre mbështesin këto pretendime.
Telegram mbetet një nga platformat më të përdorura në Rusi dhe shërben si burim informacioni si për mediat shtetërore, ashtu edhe për kundërshtarët e Kremlinit.
Aplikacioni nuk është i ndaluar në Rusi, por sipas autoriteteve mund të përdoret vetëm përmes një lidhjeje të koduar në internet ose me një rrjet privat virtual (VPN).
Autoritetet ruse i kanë kërkuar vazhdimisht Durovit të heqë përmbajtje që i cilësojnë si “ekstremiste” ose “terroriste”.
Durov, i cili jeton në Dubai dhe ka edhe shtetësi franceze, nuk ka reaguar ende ndaj akuzave të reja.
Në shkurt, kur hetimet u bënë publike për herë të parë, ai deklaroi se autoritetet ruse “çdo ditë sajojnë justifikime të reja për të kufizuar aksesin e rusëve në’ Telegram’”, duke i akuzuar se synojnë të kufizojnë të drejtën për privatësi./mxh
