Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte ka mbështetur njoftimet e fundit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për të mos ofruar më disa asete ajrore dhe detare për aleatët evropianë, në rast konflikti.
“Është shumë e drejtë, natyrisht, që evropianët duhet të marrë më shumë përgjegjësi, kur bëhet fjalë për mbrojtjen e Evropës”, u tha Rutte gazetarëve.
Ai e cilësoi pak “të çuditshme” faktin që, Evropa ende mbështetet kaq shumë tek një vend, që ndodhet tetë orë larg me fluturim, për t’u mbrojtur nga Rusia.
Në maj, Uashingtoni njoftoi se do të reduktojë kontributet në Modelin e Forcave të NATO-s, një mjet planifikimi për kapacitetet ushtarake, si pjesë e përpjekjeve për të rritur shpenzimet evropiane të mbrojtjes dhe për të ulur varësinë e kontinentit nga SHBA-ja.
“SHBA-ja mbetet e përfshirë në aspektin konvencional dhe, natyrisht, edhe përsa i përket ombrellës bërthamore”, tha Rutte, duke iu referuar mekanizmit të parandalimit bërthamor të NATO-s, sipas të cilit SHBA-ja, Franca dhe Britania e Madhe ruajnë armë bërthamore për aleatët.
“Por, me kalimin e kohës, përsa i përket këtyre kontributeve në modelin e forcave të NATO-s, është plotësisht e drejtë që evropianët të marrin përsipër, një pjesë më të madhe të barrës”, shtoi ai.
Komandanti Suprem i Forcave Aleate të NATO-s në Evropë, gjenerali Alexus G. Grynkewich deklaroi së fundmi, se Kanadaja dhe aleatët evropianë mund dhe duhet të marrin më shumë përgjegjësi, menjëherë dhe në afat të afërt, veçanërisht në fushën e avionëve me dhe pa pilot, si dhe anijeve luftarake.
Ministrat e Mbrojtjes të NATO-s do të takohen nesër në Bruksel, në prag të samitit të aleancës, që do të mbahet në korrik, në Ankara.
Ndërkohë, pritet që edhe sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth të marrë pjesë në takim dhe të përsërisë kërkesën e Uashingtonit, për një ndarje më të barabartë të barrës brenda aleancës./mxh
