Sekretari i Përgjithshëm i NATO, Mark Rutte, ka dhënë një mesazh të fortë ndaj presidentit rus Vladimir Putin gjatë punimeve të samitit të 36-të të Aleancës që po zhvillohet në Ankara.
Rutte deklaroi se NATO nuk kërkon konflikt, por do të mbrojë aleatët dhe vlerat e saj përballë çdo kërcënimi.
“Mos luani me ne. Ne nuk do të sulmojmë kurrë askënd. Ne vetëm do të mbrojmë mënyrën tonë të jetesës, demokracitë tona dhe territorin tonë”, u shpreh kreu i NATO-s. Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve për zhvillimet e fundit në Lindjen e Mesme, Rutte foli edhe për përplasjet mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, duke i cilësuar sulmet amerikane ndaj Teheranit si “absolutisht të nevojshme”.
Sipas tij, Irani ka shkelur marrëveshjen e armëpushimit, ndërsa aleanca do të vijojë të monitorojë situatën.
Në lidhje me programin bërthamor iranian, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s tha se pret që aleatët të riafirmojnë qëndrimin se Irani nuk duhet të ketë në asnjë rrethanë kapacitet bërthamor.
Samiti i NATO-s në Ankara po zhvillohet me fokus te siguria globale, lufta në Ukrainë, kërcënimet ndaj vendeve anëtare dhe zhvillimet e fundit në Lindjen e Mesme./ad
