Bruksel – Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, deklaroi se Rusia po shënon vetëm përparime të vogla në frontin e luftës në Ukrainë, por me humbje shumë të larta në njerëz.
Duke folur në margjinat e takimit të ministrave të Mbrojtjes të NATO-s në Bruksel, Rutte tha se në disa muaj, humbjet ruse kanë arritur deri në 30 mijë ushtarë të vrarë, duke i cilësuar këto shifra si tepër të rënda. Sipas tij, kjo tregon se Ukraina po qëndron fort në betejë dhe po e përballon presionin në terren.
Rutte theksoi gjithashtu se aleatët e NATO-s po punojnë çdo ditë për të siguruar garanci të forta sigurie për Ukrainën, me synimin që të arrihet sa më shpejt një armëpushim afatgjatë ose, në skenarin më të mirë, një marrëveshje paqeje.
Në të njëjtën konferencë për shtyp, ministri ukrainas i Mbrojtjes, Mykhailo Fedorov, u shpreh se Rusia nuk është në gjendje ta mposhtë Ukrainën në terren. Ai akuzoi Moskën se po shënjestron civilët dhe infrastrukturën kritike, përfshirë sistemet e ngrohjes dhe energjisë elektrike.
Sipas Fedorov, vetëm gjatë ditës së sotme Rusia ka lëshuar të paktën 24 raketa balistike drejt Ukrainës. Ai falënderoi aleatët për mbështetjen ushtarake, duke theksuar se strategjia e Kievit po funksionon dhe se vendi do të vazhdojë rezistencën.
Takimi në Bruksel vjen në një moment vendimtar për luftën në Ukrainë, ndërsa aleatët perëndimorë po diskutojnë mbi forcimin e mbështetjes dhe garantimin e sigurisë afatgjatë për Kievin./mxh
