Liderët e Bashkimit Evropian u mblodhën këtë të enjte në një takim joformal në Belgjikë, ku në qendër të diskutimeve ishte konkurrueshmëria e ekonomisë evropiane përballë Shteteve të Bashkuara dhe Kinës.
Kryeministri belg, Bart De Wever, theksoi se Evropa rrezikon të humbasë industri kyçe si ajo petrokimike, e çelikut dhe e metaleve, nëse nuk merren masa të menjëhershme për uljen e kostove të energjisë dhe barrës administrative ndaj bizneseve. Ai paralajmëroi se pa këto sektorë, BE-ja rrezikon të humbasë edhe autonominë strategjike.
Edhe presidenti i Lituanisë, Gitanas Nauseda, bëri thirrje për më pak diskutime dhe më shumë vendime konkrete, duke theksuar se koha po mbaron dhe Evropa nuk mund të përballojë humbjen e garës ekonomike me rivalët globalë.
Nga ana tjetër, kryeministri hungarez Viktor Orban deklaroi se konkurrueshmëria nënkupton ndalimin e rënies ekonomike të Evropës. Ai kërkoi përfundimin e luftës në Ukrainë, ndalimin e mbështetjes financiare për Kievin dhe orientimin e fondeve drejt ekonomive kombëtare, si dhe uljen e çmimeve të energjisë.
Shefja e diplomacisë së BE-së, Kaja Kallas, u shpreh kundër proteksionizmit, duke theksuar se tregtia e lirë është në interesin afatgjatë të kompanive evropiane. Megjithatë, ajo pranoi se BE-ja duhet të përballet me praktikat ekonomike detyruese nga Kina, të cilat dëmtojnë bizneset evropiane.
Takimi i liderëve zhvillohet në një moment kur raportet e ish-kryeministrave italianë Mario Draghi dhe Enrico Letta kanë paralajmëruar për nevojën e reformave të thella për të shmangur, siç është cilësuar, një “agoni të ngadaltë” të ekonomisë evropiane.
Megjithëse nuk priten vendime konkrete nga ky takim joformal, diskutimet pritet të japin sinjale nëse 27 vendet anëtare do të arrijnë të bien dakord për një plan të përbashkët veprimi për të forcuar konkurrueshmërinë e Bashkimit Evropian./mxh
