Ulja e çmimeve të energjisë dhe forcimi i konkurrueshmërisë së Bashkimit Evropian ishin në qendër të deklaratave të kryeministres italiane, Giorgia Meloni, në samitin joformal të liderëve evropianë që po zhvillohet në Belgjikë.
Meloni theksoi se për Italinë, prioritet mbetet çështja e kostove të energjisë, duke paralajmëruar se javën e ardhshme qeveria italiane do të paraqesë një paketë të detajuar masash në Këshillin e Ministrave. Megjithatë, ajo nënvizoi se zgjidhjet nuk mund të jenë vetëm kombëtare, pasi sipas saj, problemet ekzistojnë edhe në nivel evropian.
Kryeministrja italiane kërkoi një rishikim të thelluar të sistemit evropian të tregtimit të kuotave të emetimeve, i njohur si ETS, duke propozuar frenimin e spekulimeve financiare që, sipas saj, ndikojnë në rritjen e kostove për bizneset. Ajo përmendi gjithashtu mekanizmin e rregullimit të karbonit në kufi, i njohur si CBAM, si dhe nevojën për thjeshtimin e rregullave dhe forcimin e tregut të përbashkët.
Meloni bëri thirrje që grupi i punës të paraqesë tre masa konkrete në mbledhjen e ardhshme të Këshillit Evropian, ku prioritet do të mbetet energjia. Ajo la të kuptohet se në diskutime mund të përfshihet edhe çështja e emetimit të eurobondeve, një temë që prej kohësh ndan vendet anëtare për shkak të qëndrimeve të ndryshme.
Samiti po zhvillohet në kështjellën historike Alden Biesen në Belgjikë dhe synon të përcaktojë hapat që BE-ja duhet të ndërmarrë për të mos mbetur pas Shteteve të Bashkuara dhe Kinës në garën ekonomike globale./mxh
