Kur rezervojnë një kroçierë, shumica e udhëtarëve fokusohen te çmimi i biletës. Por një kosto që shpesh anashkalohet janë bakshishet, të cilat në shumë kompani shtohen automatikisht në faturën përfundimtare dhe mund të rrisin ndjeshëm buxhetin e pushimeve.
Në shumicën e linjave të mëdha të kroçierave, bakshishi nuk jepet më në dorë stafit. Në vend të kësaj, kompanitë aplikojnë një tarifë ditore për çdo pasagjer, e cila mbulon punonjësit e restoranteve, kamerierët, stafin e pastrimit të kabinave dhe pjesën tjetër të ekuipazhit që kujdeset për shërbimin gjatë udhëtimit.
Sipas të dhënave të Yahoo Travel, tarifat ndryshojnë nga një kompani te tjetra. Për shembull:
Carnival Cruise Line: 17 dollarë në ditë për person (19 dollarë për suitat);
Celebrity Cruises: nga 18 dollarë në ditë;
Royal Caribbean: rreth 18.50–21 dollarë në ditë, në varësi të kategorisë së kabinës.
Kjo do të thotë se një familje me katër persona që kalon shtatë net në një kroçierë mund të paguajë rreth 500 dollarë shtesë vetëm për bakshishet automatike. Ky është një shpenzim që shpesh nuk përfshihet në çmimin fillestar të reklamuar dhe mund të surprizojë udhëtarët në fund të pushimeve.
Edhe pasi ke paguar tarifën ditore, mund të ketë kosto të tjera. Në shumicën e kroçierave, pijet në bar, trajtimet në spa, sallonet e bukurisë dhe disa restorante speciale kanë automatikisht një tarifë shërbimi prej 18% deri në 20%, e shtuar mbi çmimin e produktit ose shërbimit.
Po a duhet të lini edhe para në dorë?
Ekspertët thonë se nuk është e detyrueshme, por është një gjest i vlerësuar nëse një punonjës ka ofruar shërbim të jashtëzakonshëm.
Për shembull, shumë pasagjerë zgjedhin t’i japin disa dollarë shtesë kujdestarit të kabinës ose kamerierit që i ka shërbyer gjatë gjithë udhëtimit. Edhe guidat gjatë ekskursioneve në tokë zakonisht marrin bakshish veçmas, pasi nuk janë pjesë e skemës së ekuipazhit të anijes.
Ka edhe përjashtime. Disa linja luksoze, si Regent Seven Seas, Seabourn, Silversea apo Virgin Voyages, i kanë të përfshira bakshishet në çmimin e paketës, duke eliminuar nevojën për tarifa shtesë ditore.
Për këtë arsye, ekspertët këshillojnë që përpara rezervimit të kontrolloni gjithmonë se çfarë përfshin çmimi i kroçierës dhe çfarë do të paguhet më vonë në bord.
Në një kohë kur kompanitë e kroçierave po rrisin gradualisht tarifat e shërbimit, bakshishi është kthyer në një pjesë të rëndësishme të kostos reale të pushimeve. Për udhëtarët, llogaritja e këtij shpenzimi që në momentin e rezervimit mund të shmangë surprizat në faturën përfundimtare./Yahoo Travel-ad
